Presidentja Osmani: Pretendimet e Serbisë për spastrimin dhe persekutimin të serbëve të Kosovës janë të motivuara politikisht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se pretendimet e Serbisë për spastrimin dhe persekutimin “e pretenduar etnik” të serbëve të Kosovës janë të rreme, të pabaza dhe të motivuara politikisht.

Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 22.04.2024 tha se strukturat ligjore dhe institucionale të Kosovës jo vetëm që mbrojnë, por “avancojnë në mënyrë aktive të drejtat dhe sigurinë e komunitetit serb në vend”.

“Një Kosovë për të gjithë, një Kosovë që promovon diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe përfaqësimin. Kjo është Kosova për të cilën punojmë çdo ditë. Megjithatë, ne e pranojmë se kemi ende shumë punë për të bërë, sepse demokracia, prosperiteti dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të konsiderohen kurrë si një projekt i përfunduar. Ne jemi të përkushtuar për të adresuar sfidat me aleatët dhe partnerët tanë në krah, të udhëhequr nga standardet më të larta ndërkombëtare” – ka thënë Osmani.

Sipas presidentes Osmani, serbëve të Kosovës, të cilët përbëjnë rreth 3-4% të popullsisë, u jepet ndikim i pakrahasueshëm legjislativ, siç është fuqia e vetos mbi amendamentet kushtetuese dhe ligjet thelbësore që kanë të bëjnë me arsimin, fenë, qeverisjen lokale, të drejtat e njeriut, etj.

“Kushtetuta dhe ligjet kombëtare sigurojnë që gjuha serbe të njihet dhe përdoret si gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën, duke ofruar arsim dhe të gjitha shërbimet publike në gjuhën serbe duke afirmuar si të tilla të drejtat gjuhësore të komunitetit. Po kështu, siç konfirmohet nga raporte të besueshme të pavarura, objekteve fetare ortodokse u ofrohet nivel i lartë i sigurisë, ndërsa Kisha Ortodokse gëzon mbrojtje të veçantë sipas ligjit të Kosovës” – tha ajo.

Multietniciteti dhe multikulturalizmi, tha Osmani janë vlera të cilat i ruajnë dhe do t’i mbrojnë “me çdo kusht, përkundër përçarjeve dhe sfidave të vazhdueshme të shkaktuara nga ndërhyrja e dhunshme e Serbisë”.

Manastiri i Deçanit regjistroi më 20.03.2024 pronësinë prej 24 hektarëve pranë Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, pasi Qeveria e Kosovës dha dritën e gjelbër më 13.03.2024 që zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

“Përkushtimi ynë për ndërtimin e një Kosove për të gjithë nuk është rastësi. Ajo bazohet në besimin tonë të vendosur se vetëm një demokraci përfaqësuese, gjithëpërfshirëse dhe e hapur është një demokraci e qëndrueshme. Por, më e rëndësishmja, ajo bazohet në angazhimin tonë të palëkundur për t’u siguruar që ASKUSH nuk do të durojë ose nuk duhet të kalojë atë që ne duhej të kalonim” – tha presidentja Osmani më 22.04.2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot më 22.04.2024 në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin se po i diskriminon serbët në Kosovë. Vuçiq ka përmendur se më 19.04.2024 , kanë kaluar 11 vite që nga Marrëveshja e Brukselit, “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Ai ka pretendoi se janë bërë 16 sulme të reja me motive etnike ndaj serbëve.