Kryeministri Kurti viziton Janjevën në Ditën e Krishtlindjeve

Në ditën e Krishtlindjes, kryeministri Albin Kurti, ka vizituar fshatin Janjevë.

Fillimisht kryeministri takoi famullitarin e kishës së Shën Kollit në Janjevë, Don Matej Paliq si dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.

Në njoftimin e Qeverisë, thuhet se në këtë vizitë është biseduar për historikun e komunitetit kroat në një fshat të bukur si Janjeva, fshat ky i vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.

“Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për të kontribuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë.Pas takimit, Kryeministri Kurti mori pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.