Rita Ora, Taika Waititi dhe Albin Kurti. Screenshot: Albin Kurti/X

Kryeministri Kurti pret në takim Rita Orën dhe me partnerin e saj

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim këngëtaren me famë botërore, që ka prejardhje nga Kosova, Rita Ora, dhe partnerin e saj Taika Waititi.

Kurti ka ndarë një video në rrjetin social “X” ku shihet ai bashkë me Rita Orën e me Waititin duke biseduar.

Në mbishkrim Kurti ka thënë se këngëtarja ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe.

“Ishte nder ta prisja Rita Orën dhe Taika Waititi sot në ditëlindjen e saj. Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit” – tha ai.

Në videon e publikuar Rita Ora dëgjohet duke e falënderuar Kurtin e duke treguar se sot është edhe ditëlindja saj.

“Unë dua personalisht të them faleminderit, pasi kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të kaluar ditëlindjen time. Jam 33 dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë inspiruese deri më tani dhe sot ka qenë një takim frymëzues dhe mendoj se kemi një projekt të mrekullueshëm për vitin e ardhshëm” – tha Ora.

Ajo tutje shtoi se ky udhëtim dhe ky takim e ka bërë shumë emocionuese për të ardhmen.

”Faleminderit që na bëtë të ndjehemi kaq të pranueshëm” – iu drejtua Ora shefit të ekzekutivit.

Kurti më pas e falënderoi këngëtaren, duke i thënë se kjo do të mbetet si një e diel e paharruar për të.

“Faleminderit Rita shumë që na bën neve shumë krenar si njerëz, si vend. Kjo ka qenë një e diel e paharruar për mua dhe më duhet ta shoh videon më pas për t’u siguruar se ka qenë e vërtetë” – u shpreh i pari i Qeverisë së Kosovës.

Edhe partneri i Ritës e falënderoi Kurtin duke thënë se kjo ka qenë hera e parë e tij në Kosovë dhe se është i nderuar që po viziton vendlindjen e gruas së tij.