Kryeministri Kurti jep detaje se çka u dakordua mes Lajçakut e Besnik Bislimit në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka shpalosur pikat për të cilat janë dakorduar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak të hënën në Bratislavë.

Kurti ka thënë se beson që dakordimi i Bratislavës do të ndikojë në vendosjen e barazisë midis palëve dhe të ndihmojë në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike.

“Besoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndikojë shumë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe të aneksit të saj”- deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se Bislimi dhe Ljaçak janë takuar të hënën për t’i krijuar parakushtet për fokusin në zbatimin e plotë dhe pa kushte të marrëveshjes bazike, të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe ankesin e saj të dakorduar në Ohër më 18 marsit.

“Zv. Bislimi ka arritur dakordim me Lajcak për këto pika: Qeveria e Kosovës shpallë publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të deeskalimit të situatës si dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit, kjo nënkupton reduktimin e menjëhershëm të ¼-tës të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre”- ka thënë Kurti.

“Pra 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën aty ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale, situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”- shtoi ai.

Për pikën e dytë, Kurti tha se janë dakorduar që Policia e Kosovës në varësi të rrethanave bashkë me EULEX-in dhe KFOR do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejmë të pranisë policore në ndërtesat komunale dhe në afërsi të tyre.

“E dyta; Policia e Kosovës në varësi të rrethanave bashkë me EULEX-in dhe KFOR do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejmë të pranisë policore në ndërtesat komunale apo në afërsi të tyre. Kjo ishte kërkesa e jonë që nga fillimi duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë i shohim si interes të përbashkët të të gjithëve”- shpjegoi Kurti.

Për pikën e tretë, Kurti tha se janë dakorduar që Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështetë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve në ato komuna.

“E treta; Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështetë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve në ato komuna. Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht në përputhje me kuadrin ligjor. Ne kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet bazë e nevojshme ligjore për të mundësuar  organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale”- tha Kurti.

“Për ta arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti që e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Ligji mbi politikën është definicioni adekuat i demokracisë në kontekstin tonë aktual”- theksoi ai.

Ndërkaq për pikën e fundit, kreu i ekzekutivit tha se ka të bëjë me ftesën që BE do të dërgoj për dy kryenegociatorët të cilët do të ftohen në Bruksel për të finalizuar planin e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Së katërti; Pika e fundit ka të bëjë me ftesën që BE do të dërgoj për dy kryenegociatorët. Këta do të ftohen në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencimit apo thënë ndryshe tabelën e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Pas finalizimit të planit të sekuencimit, do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”- u shpreh Kurti.

Më tej, Kurti theksoi se në vazhdimësi ka theksuar se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe.

“Kam nënvizuar në vazhdimësi se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti, që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti që të dyja palët të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme ndaj Kosovës nga ana e BE-së”- tha kryeministri.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për shtensionim të situatës në veri përmes disa hapave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Qeveria pëmes një komunikate të martën ka treguar pikat për të cilat janë dakorduar.

BE dhe Qeveria konfirmojnë se Lajçak ka ftuar dy kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme.

Sipas BE-së ky takim do të bëhet për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes pa vonesë të mëtejshme.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë pasur një takim jozyrtar në Bratisllavë më 10 korrik.

Bislimi konfirmon se kanë rënë dakord me Lajçakun për hapat për shtendosje të situatës në veri

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.

Së fundmi, Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkaq në fund të muajit maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ai pati deklaruar se gjithashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Qeveria dhe BE pajtohen për shtensionim të situatës në veri, këta janë hapat