Bislimi konfirmon se kanë rënë dakord me Lajçakun për hapat për shtendosje të situatës në veri
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar se me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak janë marrë vesh për hapat që çojnë në shtendosje të situatës në veri të Kosovës.
“U takova me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm në zbatimin e plotë dhe të drejtë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj. U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar shtendosje efektive dhe siç parashihet me ligj, duke u fokusuar në normalizim dhe zbatimin e sundimit të ligjit” – ka shkruar Bislimi në Twitter.
Bislimi nuk ka dhënë detaje se për çfarë hapa konkretisht bëhet fjalë.
Edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bëri të ditur se kanë rënë dakord për hapat e parë drejt shtendosjes të situatës në veri të vendit.
“Diskutime intensive dypalëshe zhvilluan sot në Bratislavë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e BE nga 3 qershori, dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”- ka shkruar ai.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.
Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.
BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.