Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Krasniqi flet pas takimit me presidenten: Në periudha sfiduese si kjo, interesi nacional i vendit është mbi të gjitha
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim të presidentes Vjosa Osmani, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Krasniqi ka potencuar se në takim u njoftua për gjendjen e sigurisë në vend.
“Gjatë këtij takimi, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, u informova në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend dhe veprimet e të gjitha institucioneve për të garantuar siguri e mbrojtje për qytetarët dhe shtetin tone”- është shprehur ai.
Sipas tij, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.
“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”- u shpreh tutje Krasniqi.
Lideri i PDK-së theksoi se në periudha të tilla sfiduese, interesi nacional i vendit është mbi të gjitha.
“Në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situate”- tha Krasniqi.
Ai tutje theksoi se u bëjnë thirrje edhe aleatëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje.
“Veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë”- ka thënë Krasniqi.
Përveç Krasniqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.