Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku jep detaje pas takimit me presidenten Osmani

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar sot me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Ai ka thënë se në takim u informua mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit.

Abdixhiku ka njoftuar se ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.

“Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”- ka thënë ai.

Përveç Abdixhiku, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Policia e Kosovës ka liruar për qarkullim rrugën që të dërgon brenda territorit të fshatit Banjskë, aty ku ditëve të fundi Policia ka zhvilluar aksionin e bastisjeve pas sulmit të grupit terrorist.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.