KQPZh dhe KKAFZhK: Thirrje Serbisë për hapje të arkivave dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara

Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZhK) dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i kanë bërë thirrje Serbisë për hapje të arkivave, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, si dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate bëri të ditur se në tryezën e organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u ritheksua përkushtimi i Qeverisë për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në tryezën e bashkë organizuar me Këshillin Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZhK) u bashkëbisedua mbi gjendjen aktuale të proceseve të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të gjithë të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe hapave në vijim. U theksua se kjo çështje vazhdon të jetë prioritet i veçantë, duke pasur në fokus familjarët e personave të zhdukur”- thuhet në komunikatë.

Sipas komunikates, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, theksoi mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë. Ai po ashtu ritheksoi domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Më tej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit potencohet se kryesuesi i KQPZh-së rikujtoi se me adoptimin e Deklaratës pёr personat e zhdukur më 2 maj 2023, pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur.

“Ai përmendi edhe letrën e dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës. Ndonëse janë bërë gati katër muaj nga adoptimi i Deklaratës dhe tre muaj nga letra e dërguar Vuçiq, ende nuk ka përgjigje nga Serbia”- thuhet në komunikatë.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, paradite u bënë homazhe dhe u vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Lajcak, Szunyog e Barbano, thirrje për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur në Kosovë