Lajcak, Szunyog e Barbano, thirrje për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur në Kosovë

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe Shefi i EULEX – it, Giovanni Pietro Barbano kanë bërë thirrje për përparim të dukshëm në ndriçimin e fatit të 1616 personave të cilët janë ende të zhdukur në Kosovë.

Lajçak ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve për këtë çështje.

“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u dakordua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur dhe për të rritur bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe kryerjen e gërmimeve”- ka thënë ai.

Duke ofruar mbështetjen e tij për familjet që ende presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka theksuar rëndësinë e të siguruarit që zëri i familjeve të personave të zhdukur të dëgjohet.

Ai ka thënë se BE-ja ka ofruar edhe një sërë kursesh trajnimi që synojnë ngritjen e kapaciteteve të stafit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, institucion kyç për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe ka siguruar edhe pajisjet e nevojshme për operacionet e tij.

Ndërsa, shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, vuri në dukje se ekspertët e Misionit vazhdojnë të punojnë së bashku me palët homologe kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varrezave të pashenjuara dhe zhvarrosjen e identifikimin e personave të zhdukur.

“Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione terreni për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, duke ku përfshihen 339 persona të zhdukur. Mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t’u dhënë përgjigje familjarëve të personave të zhdukur”- ka thënë ai.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 24 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.