Kosovë, tri raste të dhunës në familje për 24 orë

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar tri raste të dhunës në familje.

Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë e Gjilan.

Në Prishtinë, policia e ka arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht gruan me të cilën bashkëjetonte. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Gjilan, ka ndodhur rasti i njëjtë. Burri ka sulmuar gruan që bashkëjetonte. Prokuroria e Gjilanit ka vendosur që ta dërgojnë në mbajtje të dyshuarin.

Në Gjakovë dyshohet se dy burra së bashku me një grua kanë sulmuar fizikisht një grua tjetër.

Si pasojë e sulmit viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.