Komuna e Novobëdës

Komuna e Novobërdës ndan subvencione për OJQ-të e Graçanicës e Prishtinës

Komuna e Novobërdës me 11 dhjetor ka publikuar një vendim për aprovimin e listës së OJQ-ve të cilat kanë përfituar subvencione nga kjo komunë.

“Aprovohet vendimi për aprovimin e listës së OJQ-ve të propozuara nga Komisioni i Kuvendit, për ndarjen e Garantit në lidhje me COVID-19, në territorin e Komunës së Novobërdës”, thuhet në vendimin e Komunës.

Edhe pse është paraparë që këto subvencione të ndahen në Komunën e Novobërdës, vetëm një prej tyre është OJQ e kësaj komune, pasi që katër prej tyre janë nga Komuna e Graçanicës, dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës.

Në bazë të vendimit të publikuar, Komuna e Novobërdës ka ndarë subvencione në vlerë prej 30 mijë euro për OJQ-në nga Komuna e Prishtinës, 10 mijë e 451 euro për OJQ-në e Komunës së Novobërdës, ndërsa për katër OJQ të Komunës së Graçanicës janë ndarë për 153 mijë e 450 euro.

Në lidhje me ndarjen e këtyre subvencioneve KALLXO.com ka kontaktuar me asamblistin e Komunës së Novobërdës nga radhët e AKR-së, Ramush Mehmeti, i cili ka bërë të ditur se për vendimin rreth ndarjes së këtyre subvencioneve është thirrur seancë e jashtëzakonshme.

“Me shumicë votash është votuar, gjashtë të Listës Serbe dhe dy të LDK-së kanë votuar për. Një shoqatë e Novobërdës, e cila ka kërkuar 20 mijë euro asaj i’a kanë largu 50%, e vetmja që i është larguar përqindja, shoqata e Prishtinës 30 mijë i ka kërkuar, të gjitha i janë aprovuar”, thotë Mehmeti.

Ai tutje ka bërë të ditur se partitë AKR, PDK, VV dhe AAK kanë qenë kundër aprovimit të këtij vendimi.

I painformuar rreth ndarjes së këtyre subvencioneve është edhe nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Imeri, i cili thotë se kryetari ka vendosur pa e pyetur askënd.

“Unë jam nënkryetar, por jam vetëm formalisht, sepse Ligji për Qeverisje Lokale, kryetarët e komunave që po zgjedhen drejtpërdrejt i ka bërë mbretër, pasi që ata nuk e pyesin askënd vetëm vendosin siç kanë dëshirë vetë”, thotë Imeri.

Sipas Imerit ndarja e këtyre subvencioneve ka qenë e habitshme.

“Për mua ka qenë e habitshme ajo mënyrë e shpalljes si është bërë, me iu dhënë subvencione organizatave joqeveritare me fonde të Qeverisë, edhe në atë formë me i nda për mua ka qenë e habitshme”, thotë Imeri.

Ai tutje ka thënë se kjo ka ndodhur pasi që kryetari i Komunës e ka mundësinë të vendosë, duke u shprehur “Nuk pe kqyrë kërkush, le t`i grahë”.

“Kryetari ka bo shpallje, neve nuk na ka njoftuar askënd, as Kuvendin, as mua si nënkryetar, nuk kemi pas asnjë informacion çfarë është duke ndodhur. E kemi parë një shpallje në faqe të komunës, janë paraqitur OJQ, ka vendosë me një komision, i ka sjellë anëtarët e Kuvendit para aktit të kryer i ka një shumicë aty”, ka thënë Mehmeti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Komunës së Novobërdës, kabineti i së cilit ka kërkuar që pyetjet tona t’i dërgojmë përmes email-it.

Pyetjet rreth kësaj teme i janë dërguar kryetarit të Komunës, por i njëti deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.