Foto: Atdhe Mulla
Iniciativa qytetare serbe “Mbijetesa” tërhiqet nga gara për asamble në Novobërdë
Iniciativa qytetare serbe “Mbijetesa” është tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për asamblenë e Novobërdës.
Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 01.09.2025.
Siç njofton ky institucion, kërkesa e kësaj iniciative për tërheqje nga gara është miratuar.
Sipas njoftimit, arsyeja e tërheqjes ishte për shkak të vlerësimve të brendshme dhe pritjeve jo reale lidhur me rezultatin zgjedhor.
“Ky subjekt politik ishte certifikuar më datë 16.08.2025, sipas vendimit të KQZ-së, për pjesëmarrje në zgjedhjet për Asamblenë Komunale në komunën e Novobërdës me 12 kandidatë për asamble dhe një kandidat për Kryetar Komune” – thuhet në njoftim.
Kandidat për kryetar të Komunës së Novobërdës nga kjo iniciativë ka qenë Lubisha Ivkoviq.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 12.10.2025. Tashmë, partitë politike kanë publikuar kandidatët e tyre për kryetar të komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur afatin për aplikim për regjistrim për votim me postë nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për KALLXO.com se përmes platformës elektronike janë pranuar dhjetëra mijëra aplikime.
Për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, janë regjistruar mbi 46 mijë shtetas të Kosovës nga 46 shtete të ndryshme të botës.
“Nga data 23.07.2025 dhe deri në përfundim të afatit, më 29.08.2025, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 46,015, ndërkaq janë refuzuar 10,094 të tjera”- tha Elezi më 31.08.2025.
Ai theksoi se shumica e refuzimeve kanë ndodhur për shkak të dokumentacionit të paplotë.
“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës. Procesi i regjistrimit nuk ka qenë përjashtues, pasi çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet e refuzimit dhe për mundësinë e ri-aplikimit duke paraqitur dokumentet e domosdoshme për regjistrim”- theksoi Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur se vetëm shtetasit e regjistruar do të kenë të drejtë të votojnë me postë.
“Vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar gjatë periudhës 38-ditore, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17.09.2025 dhe do të përmbyllet më 11.10.2025.”
KQZ pranoi mbi 56 mijë aplikime për votim me postë, afër 10 mijë u refuzuan