Gypi i kanalizimit në fshatin Llabjan të Artanës | Foto: KALLXO.com
Jeta në Komunë: Telashet me kanalizim, ujë të pijes, ndriçim publik në Artanë
Me problemet e ujit të pijes, ndriçimit publik e kanalizimit përballen tash e sa vite qytetarët e komunës së Artanës.
Ata thonë që edhe pse u ankuan në ekzekutivin lokal, intervenimi i komunës nuk ndodhi në tre vite qeverisje.
Në fshatin Llabjan të Artaës tash e disa vite kanalizimi derdhet në lumë. Banorët kanë kërkuar disa herë nga komuna që të intervenojë por ekzekutivi lokal ende nuk e ka zgjidhur këtë problem.
Për problemin me kanalizim në Llabjan por edhe problemet e tjera në Artanë, ka folur nënkryetari i kësaj komune, Bajrush Ymeri.
“Jemi në dijeni, ai kanalizim është ndërtuar në vitin 2009. Kohëve të fundit ka pësuar një rrjedhje e madhe, ne e kemi diskutuar edhe me drejtorët komunalë dhe shpejt do të sanohet si problem” – ka deklaruar Ymeri.
Qytetarët e fshatit Llabjan janë ankuar edhe për mungesë të ujit të pijes.
“Ujësjellësi ka kohë që është ndërtuar dhe është shtrirë rrjeti i ujësjellësit në tërë territorin e fshatit Llabjan. I njëjti ka qenë funksional deri në vitin 2013, sa unë kam qenë kryetar” – ka thënë Bajrush Ymeri.
“Pas një borxhi të madh për energji elektrike, është ndërpre. Unë vazhdimisht kam kërkuar nga “Hidromorava” që ta merr në menaxhim ujësjellësin, por kjo s’ka ndodhur” – thotë Ymeri.

Qytetarët e Llabjanit në lagjen Abazaj dhe lagjen Sallkaj dhe disa rrugë të fshatit Prekoc e kanë edhe një telashe tjetër. Ata janë ankuar në KALLXO.com se ndriçimi publik nuk po mirëmbahet nga Komuna e Artanës.
“Në buxhetin e vitit të kaluar ne kemi paraparë mirëmbajtjen dhe rregullimin e ndriçimit publik por përmbaruesi ia ka marrë paratë e parapara komunës. Këtë shqetësim e kemi bërë edhe te qeveria” – ka thënë Bajrush Ymeri, nënkryetar i Komunës së Artanës.
Në territorin e Artanës ka nisur të ndërtohen në disa zona edhe vila. Sipas Ymerit ka procedura që duhet ndiqen për të marrë një leje për ndërtimin e një vile.
“Toka ku po ndërtohet, nuk është tokë ndërtimore por është tokë pyjore. Pazari nuk e di si është, nashta e dinë më mirë inspektorët” – ka thënë ai.
Tutje, Ymeri ka thënë se në kohën sa ai ishte kryetar komunë nuk ka pasur leje ndërtimore për ndërtime.
Ai ka thënë që, janë ndërtuar rreth njëmijë vila në zonën e Artanës.
Parregullsi në qeverisjen lokale të Artanës ka gjetur edhe Zyra Kombëtare e Auditorit. Auditori gjeti se në vitin 2023 kmuna shpërndau fatura të tatimit në pronë për 2,211 objekte, nga të cilat 75 ishin ndërtesa të reja. Por, Komuna arriti, sipas Auditorit, t’i inspektoj ose verifikoi vetëm 22 objekte ose 1%.
Auditori zbuloi po ashtu që, komuna jep subvencione pa bërë thirrje publike fare. Për shembull, një organizatë i kishte marrë mbi 60 mijë euro pa u hapur thirrja për publikun.
Auditori gjithashtu kritikoi kryetarin e komunës që angazhoi 12 këshilltarë pa e respektuar ligjin. Sipas legjislacionit në fuqi, kryetari i komunës mund të angazhoi deri në 4 këshilltarë, por jo më shumë.