Aktakuzë ndaj zyrtarit të Komunës së Novobërdës që nuk doli në punë për më shumë se një vit

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj dy drejtorëve dhe një zyrtari të Komunës së Novobërdës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në cilësinë e zyrtarit të Komunës së Novobërdës, S.V., akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos u paraqitur në vendin e tij të punës. Për të njëjtin thuhet se ka pranuar pagën mujore prej 427 euro, nga muaji prill 2019 deri në dhjetor të vitit 2020, në total 14,116 euro.

Ndërsa A.A dhe N.D, në cilësinë e drejtorëve për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Novobërdës, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, për t’i shkaktuar përfitim pasuror të kundërligjshëm zyrtarit komunal – të pandehurit S.V, dhe përkundër që i njëjti nuk është lajmëruar në punë, nuk e kanë larguar nga lista e pagave.

Ata po dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Me datë 23 prill të këtij viti ishin arrestuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Komunës së Novobërdës, pasi dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke pa marrë pagë pa shkuar fare në punë.