Hulumtimi i ‘Kallxo Përnime’, Prokuroria në Gjilan nis hetimet për ndërtimet ilegale në Novobërdë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me ndërtimet pa leje në Komunën e Novobërdës.

Një hulumtim disa mujor i ‘KallxoPërnimë’ i publikuar më 20.06.2025 zbuloi qindra ndërtime të vilave pa leje në rajonin e komunës së Novobërdës.

“Me datë 30.06.2025 është autorizuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore” – tha Arben Kadriu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Ndërtime pa leje të qindra vilave në tokë pyjore dhe bujqësore, mjete financiare që dyshohet se u dhanë në formë huazimi për zyrtarë publikë dhe vendime të kundërligjshme që u morën për bazë në një procesi gjyqësor, janë disa prej gjetjeve të hulumtimit të ‘KalllxoPërnime’, të publikuar më 20.06.2025.

Historia nisi në vitin 2020, kur dyshohet se Labinot Rexha dhe Bekim Hallaqi nisën ndërtimin e 30 vilave në fshatin Makresh i Epërm në komunën e Novobërdës. Atë kohë, drejtori i Inspeksionit në Novobërdë, Xhevat Mehmeti kishte nxjerr një aktvendim me të cilin urdhëronte ndërtuesin Labinot Rexha që t’i ndërpriste punimet.

Siç konfirmonte ish-drejtori Mehmeti, punimet në Makresh të Epërm nuk u ndalën asnjëherë.

“Po ta zbatonte urdhëresën, ai s’i kish ndërtuar… Nuk kam nevojë unë me çu te organet e rendit, unë e kam pru vendimin, ia kam ndalu punën, pastaj punë e tij çka ka bë, organet e rendit është vet komuna…unë mendoj qashtu” – deklaronte Mehmeti për ‘KallxoPërnime’.

Në anën tjetër, në një intervistë për Kallxo Përnime, vetë Labinot Rexha thoshte se inspektorët komunalë asnjëherë nuk ia ndalën punën, ndonëse ndërtoi pa leje ndërtimore.

“Kurrë hiç nuk janë ardh inspektorët, asnjëherë. As inspektorët e pylltarisë, kurrë hiç nuk i kam pa…” – deklaronte Labinot Rexha.

Sipas legjislacionit në Kosovë, në tokë pyjore nuk mund të ketë ndërtime pa një vendim për ndryshim të destinimit. Sipas Rexhës, ai bëri kërkesë disa herë në komunë, por thotë se nga qeverisja lokale nuk mori përgjigjë pozitive.

Në anën tjetër, ‘Kallxo Përnime’ kishte siguruar një vendim të ministrisë së Bujqësisë, i cili mbante datën 06.01.2022, me të cilin ministria që udhëhiqet nga Faton Peci, kishte refuzuar kërkesën për ndërrimin e destinimit të tokës për Labinot Rexhën, nga ajo pyjore, në tokë ndërtimore.

Dyshimet për dhënie të 20 mijë eurove

‘KallxoPërnime’ kishte siguruar një video-incizim ku shihej në takim Labinot Rexha dhe ish-kryetari i Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq. Në atë takim, i cili ishte realizuar në vitin 2025, Rexha ia kujtonte bisedat në të kaluarën, ish-kryetarit të komunës.

“Askush nuk më është përgjigjur. Pas kësaj, u takova me ty. Ti më the “Kjo është super gjë e mirë që ka dikush që do të investojë këtu. Super. Bravo që investoni, vetëm vazhdoni!”” – dëgjohej duke i thënë Svetisllav Ivanoviqit, ndërtuesi Labinot Rexha.

Tutje, në bisedë flitej edhe për një shumë parash, që ndërtuesi, që Prokuroria e Gjilanit e akuzon për ndërtime pa leje, pretendon që ia kishte dhënë vëllait të ish-kryetarit të Novobërdës.

“Më pas më thërret Sretani. Sretani më thotë: “Kam një punë, më jep nja 20 mijë euro”. Unë i thashë: “Kur do të m’i kthesh?” Tha: “Pas një viti, dy. Hajt, do të të ndihmoj me ndonjë punë” – pretendonte gjatë bisedës Labinot Rexha.

‘Shkeljet ligjore’ të Inspektoratit Qendror të Pyjeve

Gjatë vitit 2021, Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, sipas një raporti të brendshëm të auditorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, kishte bërë një inspektim për ndërtimet në Makresh të Epërm të Novobërdës.

Inspektorët qendrorë nuk kishin bërë ndalimin e punimeve dhe prerjes së pyllit në lokacionin ku ndërtoheshin vilat nga Labinot Rexha. Por, siç përshkruhet në raportin që e kishte siguruar ‘Kallxo Përnime’, kishin kërkuar nga autoritetet lokale të bëjnë një verifikim të të gjitha ndërtimeve pa leje. Por, raporti e konstatoi si shkelje këtë veprim të inspektoratit.

“Dyshohet se nuk është zbatuar legjislacioni në fuqi në këtë rast në momentin e konstatimit të inspektorëve se pronarët nuk kanë përfillur asnjë procedurë ligjore është dashur të merren të gjitha veprimet që të ndërpritet çdo ndërtim pa leje i cili nuk plotëson kriteret dhe nuk posedon dokumentacionin paraprak sa i përket prerjes së pyjeve dhe dëmtimit të tokës pyjore dhe të merren masat konkrete sipas kompetencave të inspektoratit dhe legjislacionit në fuqi” – thuhej në raport.

Vendimi i dyshimtë i Kuvendit Komunal

Një lagje tjetër me rreth 35 villa u ndërtua gjatë vitit 2023 në fshatin Kllobukar të komunës së Novobërdës. Praonar i vilave ishte Valon Ramushi.

Edhe në këtë rast, Prokuroria e Gjilanit kishte ngritur një aktakuzë, ndërsa më 03.04.2024, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar Valon Ramushin me gjobë prej 2 mijë e 200 euro për ndërtim pa leje.

Gjatë analizimit të aktgjykimit, hulumtimi zbardh detaje rreth një vendimi të Kuvendit Komunal, të cilin gjyqtari Sadri Krasniqi e mori si rrethanë lehtësuese.

“Po ashtu gjykata pati parasysh edhe faktin se i njëjti ka bërë ndërrimin e destinimit të tokës, nga toka bujqësore në tokë ndërtimore, pastaj ka parashtruar kërkesë për t’u pajisur me leje ndërtimore, por ende nuk ka marrë përgjigje prej organeve kompetente” – thuhej në aktgjykim.

Sipas ligjit, çdo vendim i Kuvendit Komunal duhet të dërgohet në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësim të ligjshmërisë.

Më 30.04.2025, MAPL përmes një përgjigje me shkrim konfirmoi për ‘Kallxo Përnime’ që e ka pranuar vendimin e Kuvendit Komunal të Novobërdës. MAPL e kishte dërguar më 18.12.2023, sipas obligimeve ligjore, për vlerësim të ligjshmërisë tek ministria e linjës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendimi prezantonte ndërrimin e destinimit të tokës me pronar Valon Ramushi, nga toka bujqësore në tokë ndërtimore për disa parcela.

Ky dokument i Kuvendit Komunal të Novobërdës nuk ishte trajtuar nga Ministria e Bujqësisë për një kohë të gjatë.

Më 30.04.2025, pas interesimit të Kallxo Përnime, Ministria e Bujqësisë, nis ta trajtoj rastin për të verifikuar nëse vendimi i Kuvendit Komunal të Novobërdës ishte në përputhje me ligjin.

Më 07.05.2025, ministria që drejtohet nga Faton Peci kishte nxjerr një vendim që shpallte të pavlefshëm vendimin e Komunës së Novobërdës.

“MBPZHR pas kërkesës së parashtruar nga gazetari i Kallxo.com për mos-dërgim të vlerësimit të ligjshmërisë të vendimit të Kuvendit të Komunës së Novobërdës për rastin përkatës, MBPZHR i ka ndërmarrë të gjitha veprimet administrative në pajtim të nenit 83 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.2 i Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, citohet: 3.2. organi publik vihet në dijeni të fakteve që kërkojnë fillimin e procedurës në mënyrë që të mbrohet interesi publik” – deklaroi ministria e Bujqësisë përmes një përgjigje me shkrim.

Në një përgjigje përmes telefonit, Valon Ramushi kishte thënë se nuk ka qenë në dijeni që vendimi i Kuvendit Komunal është i kundërligjshëm në momentin e dorëzimit në Gjykatë dhe Prokurori të Gjilanit.

Ndërtim mbi ligjin: Si u shndërrua Novobërda në zonë ndërtimi pa leje?