Protesta në komisionin e reformës zgjedhore në Tiranë, Foto: VoA

Komisioni i reformës zgjedhore në Tiranë mblidhet online pas protestës së deputetëve në sallë

Në Tiranë, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore rifilloi sot punën përmes një platforme online pas protestës në sallën e mbledhjeve të një grupi deputetësh, të cilët kërkojnë ndryshimin e përbërjes së tij.

Komisioni miratoi një kalendar pune, ku parashikohet që brenda dy muajve të trajtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Bashkëkryetarët e këtij komisioni pohuan se në të janë përfaqësuar të gjithë forcat politike të Kuvendit, ndërsa diskutimi është gjithëpërfshirës dhe i hapur për propozimet nga çdo drejtim apo aktorë të interesuar.

Për të dytën herë sot, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore nuk mundi të bashkohej në sallën e mbledhjeve të Kuvendit për rifillimin e punës, për shkak të protestës së një grupi deputetësh, që kërkojnë ndryshimin e anëtarëve opozitë në të, si dhe të bashkëkryetarit nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Deputetë të grupimeve opozitare Bardhi e Berisha zunë karriget e bashkëkryetarëve dhe të deputetëve socialistë, duke i detyruar këta të fundit, që të lënë sallën për ta gjetur zgjidhjen tek mbledhja online.

Bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike theksoi se përgjegjësia për moszhvillimin normal të mbledhjeve i përket kryesisë së Kuvendit, e cila toleron qëllimisht situata të tilla, sipas tij, ndërsa hodhi poshtë pretendimet mbi përfaqësimin, duke shtuar se në komision është e pranishme çdo forcë politike parlamentare.

“Të përfaqësuara janë të gjitha partitë politike; PL, PDIU, PR dhe PD me të gjithë rrymat dhe flukset, që përmban në këtë situatë me zhvillimet brenda saj”, tha zoti Alibeaj.

Ndërsa bashkëkryetari Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, tha se një pjesë e deputetëve të opozitës kanë penguar me veprime vandale mbledhjet e komisionit të reformës zgjedhore, ku po trajtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në mënyrë të hapur dhe gjithëpërfshirëse, dhe ku është i mirëpritur çdo propozim nga brenda Kuvendit, prej çdo rryme apo fluksi politik, si dhe nga gjithë aktorët e interesuar për zgjedhje të rregullta. Ai tha se 60 ditë deri në fund të marsit janë të mjaftueshme për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

“I bëj thirrje deputetëve opozitarë, ju lutem shumë, mos e pengoni zhvillimin e këtij komision, se është në interesin tuaj. Kodi zgjedhor i duhet Shqipërisë dhe opozitës, për të ngritur ato shqetësime që ka, të adresohen në kohë ”, tha zoti Gjiknuri.

47 deputetë opozitarë, ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha, dhe kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi i kanë kërkuar për herë të dytë Kuvendit të ndryshojë përbërjen e anëtarëve të komisionit të reformës zgjedhore, me synimin kryesor largimin e bashkëkryetarit Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

Ata theksojnë se në gjendjen aktuale komisoni po kryen një farsë dhe pseudoreformë të njëanshme në shërbim të shumicës socialiste, e cila sipas deputetit democrat Oerd Bylykbashi, nuk dëshiron një reformw të vërtetë.

“Përsëri ne presim që maxhoranca të lërë lojën, që bën me segmente të vogla. Shqipëria nuk ka nevojë për politikë të njëanshme, që mbështetet mbi paterica. Është shumë e rëndësishme që të trajtojmë shqetësime thelbësore dhe jo të krijohen maxhoranca false në parlament”, tha zoti Bylykbashi.

Komisioni miratoi kalendarin dy mujor, që parashikon seanca dëgjimore me partitë politike dhe organizata joqeveritare, konsultime me ekspertët, shqyrtimi i propozimeve, dhe në fund miratimi i projektndryshimeve në nenet e Kodit Zgjedhor.

Partia Demokratike ka propozuar zgjedhje me lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votimi dhe numërim elektronik, si dhe votimi i diasporës. Ndërsa për socialistët një nga pikat që ka nevojë për trajtim të kujdesshëm është shpërndarja e mandateve brenda listave të partive, e cila ka nevojë për konsensus politik.

OSBE/ODIHR-i kërkoi diskutim të hapur dhe gjithëpërfshirës nga gjithë partitë politike për shqetësimet kryesore në zgjedhjet shqiptare, që duhen shmangur si përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë zgjedhore, shitblerja e votës dhe fshehtësia e saj, liria e medias dhe administrata zgjedhore./VoA