Klinaku: ZPS dhe EULEX po i shqetësojnë bashkëluftëtarët, kërkojmë nga shteti të mos i lejojë bastisjet

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një proteste të mbajtur sot ka kundërshtuar bastisjet e fundit të EULEX- it në shtëpitë e familjarëve të dëshmorëve dhe shtëpitë e ish luftëtarëve.

Në drejtim të zyrave të EULEX-it në Fushë Kosovë, veteranët kanë hedhur telefona në shenjë proteste për bastisjet e fundit ku u sekuestruan telefonat e disa ish ushtarëve të UÇK-së dhe familjareve të tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalën e tij gjatë protestës tha se këto bastisje janë shqetësim për familjet e ish luftëtareve dhe dëshmorëve.

Ai tha se këto bastisje po ndodhim pa paralajmërim.

“Jeni dëshmitar që zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX janë duke i shqetësuar familjarët e bashkëluftëtareve dhe dëshmoreve, duke dërguar njerëz të panjohur pa paralajmërim, duke i bastisur e konfiskuar telefonat personal. Në mungesë të fakteve vazhdojnë me filma”- tha ai.

Ndërsa, shtoi se institucionet e Kosovës duhet të ndalojnë këto bastisje.

“Institucionet tona po heshtin, po na hyjnë në shtëpi, ne thirrëm këtë protestë kundër tyre, duke pasur parasysh se Policia e Kosovës është reaguesi i parë, kërkojmë që shteti të merret me ta, përndryshe do të kemi reagime të vazhdueshme”- u shpreh ai.

Klinaku tha se Dhomat e Specializuara po gjykojnë vetëm shqiptarët.

Ai ka paralajmëruar organizim të protestave më masive nëse nuk ndalen bastisjet.

Dje, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të shoqëruar me Policinë e EULEX-it kanë filluar bastisjen e një shtëpi banimi në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.

Ndërsa dy ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, zyrtarë të EULEX-it ia kanë konfiskuar telefonin Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës.

Bastisje kanë ndodhur edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu në “Kodrën e Diellit”, në Prishtinë.

Bastisja në banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliut, flet avokati