Klinaku intervistohet nga Policia për deklaratën e tij për Kurtin, avokati tregon çka deklaroi
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar nga ana e Policisë së Kosovës.
Intervistimi i Klinakut erdhi pas deklaratës së të tij në të cilën tha “…Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Në një prononcim për KALLXO.com, avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj ka thënë se ndaj Klinakut është hapur rast i kërcënimit në Polici dhe se i njëjti është liruar më pas në procedurë të rregullt.
“Iu ka hap rast gjoja se kërcënim për vrasje, e tash aty lidhet edhe me një nen tjetër ku përmendet presidenti e kryeministri, por drejt me të thanë është interpretim i gabuar” – ka thënë Dreshaj.
“Nëse analizohet postimi i tij me kokë të ftohtë nuk ish deshtë me u nxjerrë prej kontekstit a ka kërcnu me vra Albin Kurtin, po është dashtë analiza të bëhet e mirëfillt e krejt tekstit, e pastaj del që ky nuk e ka kërcënu Albin Kurtin” – ka vazhduar tutje ai.
Gjatë deklarimit të Klinakut në Polici, avokati tha se klienti i tij ka thënë se “më mirë është me u marrë Prokuroria e pushteti me deklarata e Mimoza Kusarit që po bashkëpunon me Radojçiqin”.
Po ashtu, Dreshaj tha se Klinaku ka deklaruar se do e zgjidhte Kosovën para secilit politikan, edhe para Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj e të tjerëve.
Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë deklaratë të Klinakut e llogarit si kërcënim të hapur ndaj kryeministrit Kurti.
“Është kërcënim i hapur për kryeministrin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme” – u shpreh Konjufca.
KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga ana e Zyrës së Kryeministrit, nga organet e drejtësisë e nga Policia e Kosovës, mirëpo asnjëra nga këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.
Për rastin është kontaktuar edhe partia të cilën e udhëheqë vet Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo as nga kjo parti nuk është marrë ndonjë përgjigje.
Faton Klinaku nga OVL-UÇK: Më parë e vras Albin Kurtin, se sa iku nga Kosova