Këshilli Drejtues i UP-së, 29.09.2025, Foto: Arbrita Uka / KALLXO.com

Këshilli Drejtues i UP-së zgjodhi Safet Thaçin ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm për tre muaj

Me 8 vota për, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e ka caktuar Safet Thaçin ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm të UP-së.

Zgjedhja e Thaçit u bë në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, më 29.09.2025.

Thaçi do ta mbajë këtë pozitë për tre muaj, nga data 01.10.2025 deri më 31.12.2025.

Safet Thaçi ishte propozuar nga rektori Arben Hajrullahu.

Deri javën e kaluar, Besnik Loxha ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm.


Ka një vit që Loxha ishte emëruar ushtrues detyre në këtë pozitë (që nga data 27.09.2024). 

Sipas pikës 3 të nenit 35 të Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, “zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 6 muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për 6 muaj të tjerë.”

Por, KALLXO.com ka siguruar një letër përmes së cilës Loxha ka ofruar dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës të sekretarit të përgjithshëm më 26.09.2025, në të cilën i është drejtuar Altin Sahitit, kryetarit të Këshillit Drejtues dhe rektorit Hajrullahu.

Në këtë letër Loxha flet për konkursin për pranimin e personelit administrativ në UP të datës 28.05.2025.

KALLXO.com e ka kontaktuar disa herë përmes telefonit dhe i ka dërguar pyetje me shkrim për ta marrë një deklarim nga ana e tij, por Loxha nuk është përgjigjur.

“Vendimi im vjen pas zhvillimeve të fundit që kanë shoqëruar procesin e konkursit për pranimin e personelit administrativ. Duke qenë se ky proces është udhëhequr në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe procedurat standarde institucionale, përpjekjet për ta kontestuar në mënyrë subjektive dhe me prapavijë jo parimore, e kanë bërë të pamundur për mua të vazhdoj detyrën në mënyrë profesionale” – shkruan Loxha në letrën e dorëheqjes.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues të UP-së, rektori Hajrullahu tha se ka disa muaj që ka kërkuar të shpallet konkursi i rregullt për sekretar të UP-së, por nuk ka ndodhur.

Këshilli Drejtues i UP-së nuk kishte pranuar të hapej pozita për sekretarin e përgjithshëm të UP-së në mbledhjen e datës 22.05.2025, pasi ishin arsyetuar se janë në fund të mandatit si anëtarë të Këshillit dhe nuk duan që në këtë periudhë të hapet ky konkurs dhe të tjera pozita të drejtorëve të zyrave administrative të UP-së.

Sa i përket konkursit për personel administrativ, në të cilin UP ka shpallur më shumë se 20 pozita si dhe i ka publikuar disa rezultate të kandidatëve fitues, Hajrullahu tregoi se pasi është konsultuar me disa juristë ka kërkuar anulimin e konkursit, pasi kishte rrjedhur afati i lejuar i procedurës së konkursit.

Sipas pikës 12 të nenit 237 të Rregullores për organizimin e brendshëm, sistematizimin, klasifikimin dhe përshkrimin e pozitave të punës në UP të datës 29.08.2024, procedura e rekrutimit realizohet duke zbatuar afatet e përcaktuara në Ligjin në fuqi për Zyrtarët Publikë dhe ligjet e tjera të aplikueshme, por nuk mund të zgjasë më shumë se 90 ditë në tërësi.

“Në rast të tejkalimit të këtij afati, Universiteti obligohet të anulojë konkursin e shpallur për pozitat përkatëse” – vazhdon pika 12 e nenit 237 të Rregullores së datës 29.08.2024.

Kjo do të thotë se konkursi në fjalë, meqë ishte shpallur nga data 28.05.2025, kishte pasur afat tre muaj, por rezultatet e kandidatëve fitues të rekrutuar janë shpallur më 23.09.2025.

Në anën tjetër, Besnik Loxha ishte propozuar nga rektori Hajrullahu për u.d. sekretar të përgjithshëm të UP-së, pasi më 26.09.2024, Këshilli Drejtues i UP-së e liroi nga kjo detyrë Besfort Krasniqin.

Krasniqi u lirua nga detyra pas votimit të fshehtë të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe pasi është vlerësuar si përgjegjës për keqmenaxhim të buxhetit të UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë.

Katër prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së zgjidhen nga Ministria e Arsimit, kurse pesë të tjerë zgjidhen nga Senati i UP-së dhe vijnë nga radhët e personelit akademik.

Anëtarët aktualë të Këshillit Drejtues të UP-së deri më 01.10.2025, të emëruar nga Ministria e Arsimit janë: Altin Sahiti (kryesues), Arbëresha Nela-Turjaka (zëvendëskryesuese), Hajrullah Koliqi dhe Arta Shehu-Zaimi. Këta anëtarë janë në vitin e katërt të mandatit të tyre në Këshill.

Kurse, pesë anëtarët nga personeli akademik i UP-së në Këshill Drejtues deri më 01.10.2025 janë: Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të datës 29.09.2025 mungoi vetëm anëtarja Arta Shehu-Zaimi.

Në anën tjetër, Senati i UP-së më 30.06.2025 zgjodhi pesë anëtarët e rinj të këtij Këshilli: Mimoza Ibrani, Teuta Jashari- Kajtazi, Vjosa Fejza- Ademi, Arian Krasniqi dhe Kurtesh Sherifi.