Mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së, 22.05.2025, Foto: KALLXO.com

UP pritet të hapë pozita të reja në administratë, pozitat drejtuese do të hapen më vonë

Pas një debati mes anëtarëve të Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe menaxhmentit të UP-së në krye me rektorin Arben Hajrullahu më 22.05.2025 është miratuar kërkesa për hapjen e konkurseve për disa pozita të reja në administratën e UP-së.

Rektori Hajrullahu që kur e ka marrë këtë pozitë, në tetor 2024, është ankuar për mungesë stafi administrativ në UP.

Këshilli drejtues i UP-së me 7 vota për e miratoi kërkesën e menaxhmentit të UP-së për hapjen e këtyre pozitave të reja në administratën e UP-së: 

– Asistent/e ekzekutiv në zyrën e sekretarit të përgjithshëm; 

– udhëheqës i zyrës për informim dhe komunikim me publikun; 

– një zyrtar për media; zyrtar për komunikim me publikun; 

– dy zyrtarë të personelit; 

– zyrtar ligjor për hartim dhe harmonizim të akteve juridike; 

– zyrtar ligjor për përfaqësime;

– zyrtar për çështje mësimore në ZÇA (Zyra për Çështje Akademike); 

– zyrtar për kontabilitet në Administratë Qendrore; 

– zyrtar për të hyra në Administratë Qendrore; 

– zyrtar për kërkime shkencore; 

– zyrtar për studentët e diplomuar; 

– zyrtar i prokurimit; 

– zhvillues dhe administrator i lartë i programeve softuerike; 

– dy zyrtarë të auditimit të brendshëm; 

– sekretarë të Fakulteteve Filozofik, Filologji, Ekonomik, Arte, Inxhinieri Mekanike dhe Arkitekturë; 

– laborant në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Mjekësi, Fakultet i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultet të Bujqësisë dhe Veterinarisë; 

– udhëheqës i divizionit të shërbimit për Bachelor në Fakultetin e Filologjisë; 

– zyrtar për kërkime, projekte dhe mobilitet akademik në Fakultetin e Edukimit; 

– zyrtar i lartë për financa në Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN); 

– zyrtar për projekte dhe mobilitet të personelit dhe studentëve, në Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë.

Mirëpo, në kërkesën e menaxhmentit të UP-së ka pasur edhe pozita të drejtorëve të zyrave administrative të UP-së dhe pozita e sekretarit të përgjithshëm të UP-së, të cilat Këshilli drejtues i UP-së nuk i miratoi që të hapen konkurset për këto pozita.

Këto janë pozitat që nuk i miratoi Këshilli drejtues i UP-së që të hapen konkurse për to:

– sekretar i përgjithshëm i UP-së; drejtor i personelit akademik; drejtor i zyrës ligjore; drejtor i Departamentit të Financave; drejtor i Zyrës për Kërkime Shkencore dhe projekte të sponsorizuara; drejtor i Departamentit të Prokurimit; drejtor i Teknologjisë së Informacionit; drejtor i Zyrës së auditimit të brendshëm; drejtor i Zyrës për çështje të studentëve.

Në disa prej këtyre zyreve, UP ka ushtrues të detyrës së drejtorit, kurse nga tetori 2024 ka ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm, Besnik Loxhën.

Disa anëtarë të Këshillit drejtues të UP-së e arsyetuan mosmiratimin e hapjes së konkursit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të UP-së dhe të konkurseve për drejtorë të zyrave administrative të UP-së, duke thënë se janë në muajin e fundit të mandatit si anëtarë të Këshillit drejtues dhe nuk duan që në këtë periudhë të hapen këto konkurse.

Para miratimit të kësaj kërkese, Besnik Loxha në mbledhjen e Këshillit drejtues të UP-së tha se kanë mungesë jashtëzakonisht të madhe të stafit administrativ në Universitetin e Prishtinës.

“I gjithë stafi është i mbingarkuar me punë shtesë, ku thuaja mbi 50% e stafit ndoshta është i angazhuar me 30% shtesë për punës të cilat duhet m’i kry nëpër zyre tjera… Thuaja gjysmën e njësive akademike të Universitetit që funksionojnë me ushtrues detyre të sekretarit… i kemi paraparë sipas nevojës që jashtëzakonisht është e nevojshme që të shpallet konkursi për sekretarin e përgjithshëm të UP-së” – tha Loxha.

Altin Sahiti, kryesues i Këshillit drejtues të UP-së, e ka pyetur Loxhën se pse nuk e kanë zbatuar Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës të miratuar nga Këshilli drejtues i UP-së më 25.01.2024 dhe për pozitat të cilat kanë kërkuar që të hapen të reja, është interesuar se si ka shkuar procesi deri në përpilimin e secilës prej këtyre pozitave. 

Rektori Arben Hajrullahu i është përgjigjur Sahitit, duke thënë se si menaxhment u kanë dërguar të gjithë dekanëve të njësive akademike të UP-së një pyetësor që të propozojnë nevojat urgjente që kanë në njësitë e tyre akademike.

“Kërkesat janë ardhë edhe më të mëdha sesa që janë në këtë listë, edhe bashkërisht kemi provu në dialog me dekanët që të paktën për këtë konkurs m’i çu këto pozita përpara, me jua propozu juve edhe me shpresë që konkursi i radhës do të hapet shumë shpejt edhe me i plotësu vendet vakante që kemi në Universitet” – ka thënë Hajrullahu.

Kurse, për moszbatimin e Rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, Loxha i ka thënë Sahitit se ka marrë informata se kjo Rregullore nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Me këtë Rregullore përcaktohet organizimi i brendshëm i departamenteve të Administratës Qendrore, Bibliotekës Qendrore Universitare, zyrave administrative në njësi akademike si dhe organeve në kuadër të UP-së.

“Kjo Rregullore për moszbatueshmërinë e saj, unë mendoj që nuk është në rregull edhe Këshilli drejtues në mënyrë subjektive është raportu për Rregulloren në fjalë… Ne jemi siguru që secilën Rregullore ose Statut që e bëjmë është në përputhshmëri me ligjin” – i ka reaguar Sahiti.

Arian Krasniqi, anëtar në Këshillin drejtues të UP-së, ka theksuar nevojën për të hapur konkurse për zyrtarë ligjorë që UP ka nevojë të përfaqësohet në rastet e saj në Gjykatë, sesa nevoja për të hapur konkurse për drejtorë të zyrave administrative në UP.

“Kemi pesë njësi akademike që nuk kanë sekretar, do të thotë nuk ka njeri kryesor administrativ të rregullt që e kryen punën. Kemi njësi akademike që nuk kanë zyrtar për shërbim të studentëve. Studentët presin për shërbimet e tyre… Ne, pjesa e Senatit, jemi në muajt e fundit të mandatit tonë, nuk e di si do të tingëllonte që në këta muajt e fundit të mandatit tonë, pa paragjyku kurrgjë, të bënim shpalljen e një konkursi që mund të konsiderohet si masiv, me 45-50 veta përnjëherë” – tha Krasniqi.

Për pozitat e drejtorëve të zyreve administrative në UP, Selim Bezeraj tha se nuk i mbështet pasi janë pozita të cilat do të dalin në konkurs në ditët e fundit të tyre si anëtarë të Këshillit drejtues të UP-së. 

Bezeraj i ka numëruar pozitat e tjera të cilat i mbështet, pasi vlerësoi se janë esencialë, të nevojshëm.

Pasi ka përfunduar debati për hapjen apo jo të të gjitha pozitave të reja që ka kërkuar menaxhmenti i UP-së, Sahiti ka kërkuar një pauzë disa minutëshe për konsultim me anëtarët e Këshillit drejtues për këtë çështje.

Pas pauzës, ata janë kthyer në mbledhje dhe Bezeraj ka përmendur pozitat që nuk janë të nivelit drejtues që të shpallen konkurset për to.

Përveç miratimit të kësaj kërkese, Këshilli drejtues i UP-së miratoi unanimisht që t’i ndajnë 10 bursa me vlerë 500 euro për 8 muaj për studentë ndërkombëtarë që studiojnë në nivelin Bachelor.

Të pranishëm në këtë mbledhje të Këshillit drejtues të UP-së ishin: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (zëvendëskryesuese) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi. Mungoi anëtari Naser Kabashi.

Po ashtu, në këtë mbledhje përveç rektorit Hajrullahu dhe u.d. sekretarit të UP-së, Besnik Loxha, ishte edhe prorektorja për Buxhet dhe Financa, Albana Berisha-Qehaja.