Kapen me mbi 100 km/h në zonë me kufizim 50 km/h, Policia ndëshkon shoferët në Ferizaj me gjoba dhe heqje patente për 3 muaj
Katër shoferë janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë në një zonë me kufizim prej 50 km/h në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë, ngasësit janë gjobitur gjatë kontrolleve të realizuara nga patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor.
Policia njoftoi se këta persona kanë zhvilluar shpejtësi deri në 103 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km/h.
“Patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor, gjatë kontrolleve të realizuara në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ka identifikuar dhe ndëshkuar katër shoferë për tejkalim të shpejtësisë në një zonë me kufizim prej 50 km/h” – thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, B.S. (34-vjeç), me veturën “Audi A4”, ngjyrë hiri, me targa vendore, është ndaluar duke qarkulluar me 103 km/h, ndërsa D.L. (33-vjeç), me veturën “VW Golf”, po ashtu me targa vendore është kapur me 87 km/h.
Po ashtu, B.K. (35-vjeç), me veturën “Land Rover”, ngjyrë e zezë, është ndaluar me shpejtësi 83 km/h, derisa Q.V. (37-vjeçe), me veturën “Audi A4”, ngjyrë hiri, është regjistruar duke vozitur 83 kilometra në orë.
“Ndaj tyre, policia ka shqiptuar nga një gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative, si dhe masën mbrojtëse, heqje e patentë shoferit për 3 muaj” – thuhet më tej në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut” – përfundon njoftimi i Policisë së Ferizajt.