Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për Istogun ‘shtyhen’ se kush do të jap më shumë bursa për studentët

Ndarja e bursave për studentët ka “përplasur” kandidatët për kryetar të Komunës së Istogut në Debat Pernime.

Kandidati për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje, në Debat Pernime ka premtuar 100 bursa për studentët e Istogut.

“Tek bursat për studentë ne kemi diku 33 deri 40 bursa që i ka ndarë komuna, ne e kemi ngritur këtë në 100 bursa”, tha ai.

Kurse, kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Istogut, Bekë Berisha tha se i premton 200 bursa, për ta sfiduar kandidatin nga LVV-ja.

“Nëse Agroni po premton 100 bursa, unë du me i bo 200”, tha ai.

Ndërsa, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Istogut, Ilir Ferati i premtoi 144 bursa.

Rreth 65 bursa i ka premtuar ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ali Nimanaj.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Istogut nga radhët e Iniciativës Qytetare Bashkë për Istogun, Idriz Blakaj, tha se do të ndajë 100 bursa për studentët.

“Me e kriju një fond për bursa, pa e harxhuar asnjë cent të buxhetit të komunës”, u zotua ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.