Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL

Javën e ardhshme takim mes Kosovës e Serbisë për finalizimin e marrëveshjes së targave

Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për finalizimin e marrëveshjes së targave do të takohen të enjten.

Kështu ka bërë të ditur, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane.

“Të enjten e ardhshme kanë takim grupi punues i Kosovës dhe Serbisë, për me mundu me finalizu marrëveshjen për targat. Ne shpresojmë me finalizu dhe takimi i fundit është me 20 prill, ndërsa me 21 prill në të cilin kuptohet a kemi zgjidhje apo jo”, ka thënë Bislimi.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Mbahet takimi i gjashtë për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë