Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL
Mbahet takimi i gjashtë për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se sot në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë për çështjen e targave mes delegacioneve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak ka thënë se ekspertët e Bashkimit Evropian ndihmuan dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike.
“Ndërkohë, delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 6-të të GP për Targat. Ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Tutje ai ka shtuar se tani është koha për t’u angazhuar në gjetjen e pikave të përbashkëta.
In the meantime, expert delegations of Kosovo & Serbia met in Brussels today for the 6th meeting of the WG on Licence Plates. EU experts assisted both delegations in identifying all existing options & their technical implications. It’s time now to engage in finding common ground.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 11, 2022
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Që nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur disa takime për arritjen e një marrëveshje për çështjen e lirisë së lëvizjes.