A mund të ekstradohet Milan Radoiçiq?

Pronocimet e ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla se do ta kërkojnë ekstradimin e atij që po përshkruhet si udhëheqës i grupit terrorist për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq, kanë ngritur diskutim në qarqet juridike për pengesat ligjore që e pamundësojnë një gjë të tillë.

Kushtetuta e vjetër e Serbisë shprehimisht e ndalonte ekstradimin e shtetasve serb, por anipse me Kushtetutën e re nuk ka ndalesa të tilla, avokati Arianit Koci thotë se tashmë pengesë bëhet Ligji serb pë Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.

“Kushtetuta e re nuk e ndalon ekstradimin e shtetasve të Serbisë por e ndalon Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale nëse nuk ka marrëveshje në mes shteteve”- ka shpjeguar Koci.

Sipas Kocit ekstradimi i Radoiçiqit nuk pritet të ndodhë.

“Meqenëse në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrëveshje bashkëpunimi në çështjet penale ekstradimi i Radoiçiqit nuk pritet”.

Madje ai ka thënë se nuk e dinë asnjë rast të bashkëpunimit në çështjet penale në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Unë nuk e di të ketë patur ndonjë rast të bashkëpunimit juridik në çështjet penale Serbi – Kosovë” – është shprehur Koci.

Në Kosovë ekstradimi i shtetasve kosovar rregullohet me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Edhe shteti ynë e kërkon marrëveshjen për bashkëpunim në çështjet penale me shtetin respektiv për të ekstraduar shtetasit e vetë në mënyrë që të njëjtit të gjykohen jashtë vendit.

Por praktika juridike e njeh edhe lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunimin në çështjet penale për ekstradimin e vetëm një personi.

Një marrëveshje e tillë në të mes Serbisë dhe Kosovës do ta mundësonte gjykimin e Milan Radoiiçiqit në një nga gjykatat kompetente të shtetit tonë.

Çka ju ngelet autoriteteve kosovare të bëjnë në këtë pikë është që përmes zyrës për bashkëpunim policor ILECU të bëhet kërkesa në UNMIK, e UNMIK-u të bëjë kërkesë në INTERPOL.

“Në këto rrethana nëse personi në fjalë gjendet jashtë Serbisë atëherë përmes INTERPOL-it arrestohet”- ka thënë Koci.

Gjatë ditës së djeshme përmes një letre Milan Radoiçiq e ka konfirmuar përfshirjen e tij në sulmin terrorist në pjesën veriore të Kosovës nga i cili u vra polici Afrim Bunjaku. Ai në të njëjtën letër ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të “Listës Serbe” dhe është shprehur i gatshëm të dalë para autoriteteve gjyqësore serbe.

“Jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesës së autoriteteve lidhur me këto ngjarje. Rroftë Serbia e Madhe”- thuhet mes tjerash në letrën e tij.