Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari
Kompanisë “Limak” i zgjatet edhe për 20 muaj kontrata e koncesionimit të Aeroportit “Adem Jashari”
Ministria e Financave ka njoftuar se pas miratimit nga Komiteti për Partneritet Publiko Privat, sot, më 20.03.2024, është nënshkruar amendamenti i marrëveshjes së koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas njoftimit, amendamenti parasheh që kompanisë Limak Kosovo International Airport t’i kompensohet periudha e pandemisë si forcë madhore.
“Bazuar në dispozitat e marrëveshjes bazë të koncesionimit, Komiteti për PPP ka njohur periudhën prej 20 muajsh si periudhë të pandemisë gjatë së cilës aeroporti ka operuar me ndërprerje apo me kufizime, dhe për të cilën periudhë marrëveshja bazë parasheh zgjatjen e afatit proporcionalisht në fund të periudhës së koncesionimit në rastet kur kemi të bëjmë me forcë madhore” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas njoftimit, për periudhën që parashihet të kompensohet, tarifa e koncesionimit që përfiton Republika e Kosovës do të jetë 55%, gjë që paraqet rritje substanciale krahasuar me përqindjen e paraparë gjatë periudhës së pandemisë në vitet 2020 dhe 2021, e që ishte 34%, përkatësisht 37%.
Ministria tregon se kjo gjë është reflektuar edhe në amendamentin e nënshkruar sot, i cili bën zbatimin e këtyre dispozitave të marrëveshjes bazë dhe kornizës ligjore në fuqi.
Në vitin 2010, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar kontratën me kompaninë “Limak-Lion” për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kontrata përfshin zgjerim dhe operim për 20 vjet të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.