Jabllanoviq flet në lidhje me rastin e iniciuar për kalimin ilegal të kufirit

Aleksandër Jabllanoviq, kreu i Partisë së Serbëve të Kosovës, mbrëmjen e kaluar është ndaluar nga një patrullë nën dyshimet se i njëjti ka kaluar ilegalisht kufirin.

Ngjarja është regjistruar të ketë ndodhur në vendkalimin në Izvor.

Në një komunikim me KALLXO.com, Jabllanoviq ka konfirmuar se i njëjti është ndaluar nga policia, ndërsa ndaj tij është hapur procedurë penale.

Ai thotë se këtë pikë kalim e kishte shfrytëzuar edhe më herët dhe se ka pasur kalim të rregullt ndërsa mbrëmë kur ishte ndaluar nga policia, i ishte thënë se rruga ishte e mbyllur për qarkullim.

“Pas kësaj, unë dhe gruaja ime dhamë një deklaratë në komisariat dhe pas kësaj na lejuan të vazhdonim udhëtimin tonë. Mund të them se pjesëtarët e policisë gjatë gjithë kohës janë treguar jashtëzakonisht të sjellshëm dhe maksimalisht profesional ndaj nesh dhe nuk kemi asnjë kundërshtim për veprimet e tyre, për çka dua t’i falënderoj”- tha Jabllanoviq për KALLXO.com.

Ai tha se këtë veprim të tij nuk e konsideron të jashtëligjshëm.

“Unë sigurisht që nuk kam bërë asnjë shkelje dhe nuk e konsideroj atë hyrje të paligjshme, pasi është krejtësisht e ligjshme që nga viti 2013. Unë dhe familja ime kemi dokumente si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova dhe jemi banorë të Kosovës, kështu që besoj se kalimi ynë as nuk mund të jetë i paligjshëm”, shtoi tutje ai.

Tutje Jabllanoviq thotë se nuk ka ndonjë arsye se pse të veproj në kundërshtim me ligjin në Kosovë.

“Fakti që disa rrugë udhëtimi janë aktualisht të pakalueshme dhe se e drejta jonë për lëvizje të plotë dhe të lirë është e kufizuar është një minus për institucionet. I gjithë rasti lindi sepse ne nuk ishim të informuar mirë për rrethanat aktuale në atë rrugë dhe besoj se ky nuk është aspak problem në rastin tim sepse nuk jemi as kontrabandë, as emigrantë të paligjshëm”, përfundoi Jabllanoviq.

KALLXO.com raportoi për ngjarjen ku ishte i përfshirë edhe Jabllanoviq.

Ai u ndalua mbrëmë rreth orës 22:00.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti është iniciuar si kalim i kufirit në mënyrë të paautorizuar.

Aleksandar Jabllanoviqit i iniciohet rast për kalim ilegal të kufirit nga Serbia në Kosovë