Ish-kryeshefi i KPM-së Luan Latifi në Gjykatë flet për domethënien e mesazheve 's`po i japin veç 10 mijë'

Ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykimin ku po akuzohet se ka kërkuar ryshfet nga pronari i kompanisë “Telkos”, Elhami Haziri.

Ai akuzohet se me qëllim që kompanisë së Hazirit të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në ka kërkuar ryshfet.

Latifi tha se kishte kuptuar përmes reklamave televizive se kompania “Telkos” ka shtrirje të rrjetit në të gjitha qytet e mëdha të Kosovës me theks të veçante në Prizren, e që nuk ishte në përputhje me pagesat e bazuara në rregulloren që e përcakton taksën për licencë.

Sipas ish kryeshefit të KPM-së për vitin 2020-2021 për shtrirje të pa raportuar të rrjetit, buxheti i shtetit ishte dëmtuar në shumën prej 30 mijë euro.

Sipas të akuzuarit, me Hazirin ndër vite kishin ndodhur shumë takime pasi që kishin afërsi dhe njiheshin mes vete, këto takime ishin kërkuar nga Haziri dhe ishin zhvilluar pothuajse të gjitha në zyre. Kurse vetëm dy takime të fundit kishin ndodhur privatisht.

Këto takime sipas të akuzuarit kishin ndodhur në Gjilan dhe në takimin e dytë ishte biseduar lidhur me taksën.

“Në takimin e dytë, është biseduar lidhur me problemin me taksën dhe qasja e tij {Elhamiut} ka qenë sikur kur këkon ndihmë dhe sqarime rreth problemit”- ishte dëshmia e Latifit.

Kurse  në pyetjen e mbrojtësit të tij, Drion Musliu se ‘gjatë këtij takimi a i kishit premtuar ndonjë herë diçka Elahmisë lidhur me taksën?’.

“I kam premtuar siguri dhe mbështetje brenda kornizës ligjore për çfarëdo çështje që ndërlidhet me KPM, mirëpo në asnjë premtim asnjë përkrahje që të veproj kundërligjshëm, të fsheh veprimtarin e tij të kundërligjshme”- ishe përgjigja e Latifit.

Në pyetjen e mbrojtësit, Musliu, lidhur me një mesazh telefonik që Arben Bilalli i kishte dërguar Luan Latifit, me mbishkrim “s`po japin veç 10 mijë”, ish-kryeshefi i KPM-së tha se i kishte shkruar Billalit që nuk po e kupton.

“Është e vërtetë që kam pranu sms në fjalë, menjëherë e kam thirr në telefon Arbenin, Arbeni nuk e ka hap telefonin në ndërkohë i kom shkru mbrapa sms me tekstin “send s`po t’marr vesh”, mbas një kohe nuk e di saktë, ma ka kthy mrapa “shnet e ki”- u përgjigj Latifi.

Kurse lidhur me mesazhin që i akuzuari i kishte dërguar Arben Bilallit me përmbajtjen “a mbrrive?”, i akuzuari u deklarua se ishte si formë përkujdesjeje pasi që në atë ditë Billali kishte për të udhëtuar në Turqi dhe përmbajtja e mesazhit ‘a mbrrive’ ishte në kuptimin se ‘a mbrrive me u bo gati për udhëtim’.

“Demek  a mbrrive me u bo gati”- u deklarua i akuzuari.

I njëjti u përgjigj pyetjeve të prokurorisë, por shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje momentin kur radha për të parashtruar pyetje i erdhi palës së dëmtuar.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Naim Rudari kishte një kërkesë për prokurorinë që të zgjerojë aktakuzën në mënyrë që Latifi të akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare e jo vetëm për marrje ryshfeti.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më datë 7 dhjetor 2023.

Lidhur me këtë rast i akuzuar kishte qenë edhe Billali i cili kishte pranuar fjaësinë.

Sipas aktakuzës, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si Kryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.

Gjykimi ndaj ish-shefit të KPM, Luan Latifi –  Dëshmitari tregon se si ia kërkuan 25 mijë euro ryshfet