Gjykimi ndaj ish-shefit të KPM, Luan Latifi -  Dëshmitari tregon se si ia kërkuan 25 mijë euro ryshfet

 

Luan Latifi, ish-kryeshef i Komisionit të Pavarur të Mediave – KPM, është përballur me deklaratën e  dëshmitarit nga i cili sipas dosjes së prokurorisë Latifi ka kërkuar dhe marrë ryshfet.

Në cilësinë e dëshmitarit Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”, sot para gjykatës ka treguar rrjedhën e ngjarjes se si i është kërkuar ryshfet dhe si ka vendosur se do të  bashkëpunojë me Policinë e Kosovës për këtë rast.

Haziri, pronari i “TelKos” tregoi se ai bashkë me ortakët e tij kanë paraqitur një ankesë në Komisionin Parlamentar në lidhje me ndryshimin e rregullores që rregullon tregun kabllor, ndryshim të cilin e kishte bërë Luan Latifi, si Kryeshef i KPM-së.

Sipas Hazirit, i vetmi nen i ndryshuar në atë rregullore është ai,  i cili obligon operatorët për transmetimin televiziv të emisioneve me interes publik, e që pas ndryshimit do të mundësohej monopol medial.

Haziri në deklaratën e tij shpreh pretendimet se e gjithë ngjarja e ndodhur dhe e përshkruar si në aktakuzë ka pasur tendenca hakmarrëse për shkak të ankesës së paraqitur nga ana e tyre në Komisionin Parlamentar.

Haziri tregoi se ka pasur disa takime me Luan Latifin dhe Arben Bilallin, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, ky i fundit në njërin nga ato takime i ka treguar se Luan Latifi kërkon 25 mijë euro rreth këtij rasti.

“Kemi shku në takim te Arbeni në zyrë të tij në KPM, kam vendos në fshehtësi me e voice-record bisedën, aty më ka thënë se Luani i kërkon 25 mijë euro për këtë punë, se atij i kishe tregu që po qel e po blen televizion të ri, kur të shkosh me bo pazar dika nuk duhet me u livdu po me u shit si fukara, unë me këtë e kuptova që Luani e Arbeni janë të sinkronizuar për këtë vepër, unë i thash që 25 janë shumë, e më shumë se 10 mijë nuk t`i jap”- tha Haziri.

Pas kësaj bisede Haziri thotë se e ka lajmëruar rastin në polici dhe kanë caktuar takim me Arben Bilallin ku edhe ja ka dhënë 8 mijë euro.

Kujtojmë se Luan Latifit i është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë, e pas përfundimit të kësaj mase i është caktuar arrest shtëpiak për dy muaj, masë kjo që nuk iu është vazhduar më tutje.

Për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave. Ai është gjetur fajtor për vepër penale, marrja e ryshfetit dhe është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Bilalli kishte pranuar fajësinë ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm, ku pastaj ishte veçuar procedura ndaj Bilallit.

Gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite.

Sipas aktakuzës Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si ryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK