Halim Muçolli, Haxhi Avdyli dhe Vjosa Osmani, Foto: Facebook

Ish-anëtari i LDK-së propozohet për bord të AKP-së

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti sot i ka propozuar tetë emra për bordin e ri të Ndërmarrjes Publike “Agjencia Kosovare e Privatizimit”.

Në mesin e emrave të propozuar që do të shkojnë në Kuvendin e Kosovës është edhe Halim Muçolli.

Muçolli ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së katërt të LDK-së në Prishtinë.

Muçolli e ka mohuar që aktualisht është pjesë e politikës.

“Prej 2019 unë më nuk jam në LDK, aktivitetin e fundit në 2019 e kam pas”, ka thënë për KALLXO.com Halim Muçolli.

Madje ai ka thënë se nuk është pjesë as e Listës “Guxo”, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet.

“Nuk jam bashku te Lista Guxo, nuk kam asnjë lidhje me asnjë parti. Nuk jam i afërt as me Haxhi Avdylin, fotografi mund të kem edhe me juve, ata (Lista Guxo) kanë marrë vesh më vonë këtë punë”, deklaroi ai.

Bashkë me Muçollin, për bordin e AKP-së janë propozuar edhe Syzana Dautaj- Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi- Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Nazmi Mikullovci dhe Avni Ajdini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky do të jetë bordi i fundit të AKP-së

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Nazmi Mikullovci, është propozuar për bord të AKP-së.

Njeriu i Vetëvendosjes propozohet për bord të AKP-së