Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti - Foto: REL/BQK

Ish-guvernatori Mehmeti kërkon nga presidentja Osmani të mos dekretojë guvernatorin e ri

Kuvendi i Kosovës më 13 korrik votoi Ahmet Ismaili për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas procedurave emri i guvernatorit të ri të BQK-së duhet të dekretohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Presidenca ka thënë se për shkak të ngritjes së kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese, dekretimi i emri i ri i guvernatorit të ri të BQK-së është në pritje.

“Pas ngritjes se çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve të Kuvendit mbi kushtetutshmërinë e tërë seancës, e rrjedhimisht edhe vendimeve të marra në të,  (ku ndër të tjera është votuar kandidati për guvernator), Presidenca është në pritje të sqarimit nga Gjykata Kushtetuese nëse ekziston masë e përkohshme për të gjitha vendimet e nxjerra nga Kuvendi, përfshirë edhe atë për guvernatorin”- tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

Ish-guvernatori, Fehmi Mehmeti përmes një letre ka kërkuar nga presidentja, Vjosa Osmani që të mos dekretoj Ahmet Ismailin si guvernator, për shkak të shkeljeve që ai pretendon që kanë ndodhur gjatë procesit.

Në ketë letër të siguruar nga KALLXO.com Mehmeti thotë se ai është diskriminuar në konkursin e parë për Guvernator të BQK-së, ku ai kishte kandiduar edhe për një mandat.

“Unë kam kandiduar edhe për një mandat në këtë pozitë dhe diskriminimin që më është bërë mua duke mos u trajtuar barabartë me kandidatët tjerë në rrethana kushte dhe poentim absolutisht të njëjta dhe duke nxitur dilema me integritetin tim pas publikimit të rezultateve të intervistimit ka qenë gjëja më e ulët dhe jo etike e Komisionit përkatës”- thuhet në letrën Mehmetit drejtuar Presidencës.

Ndër të tjera ish-guvernatori Mehmeti ka përmendur si shkelje edhe shpalljen e konkursit të dytë për këtë pozitë pa u anuluar konkursi i parë.

“… luteni shumë që para ndërmarrjes së hapave për dekretimin e personit të propozuar të kërkoni sqarime për mënyrën e përzgjedhjes së tij dhe shkeljet që janë bërë gjatë fazave paraprake dhe të ndaloni këto parregullsi…”- vazhdon letra e Mehmetit.

KALLXO.com ka raportuar se konkursi i dytë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës nga i cili më të poentuarit ishin Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli ishte hapur pa u anuluar konkursi i parë dhe pa shkuar për votim rekomandimi i Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës.

Konkursi i parë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishte monitoruar edhe nga britanikët.

Në listën e monitoruesve britanik, Shkëndije Himaj ishte renditur e para ndërsa pjesë e listës së ngushtë ishin edhe Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet në lidhje me listën e kandidatëve për Guvernator në konkursin e dytë, deputetët kanë kërkuar sqarime nga komisioni vlerësues me në krye kryetarin e bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja i cili përkohësisht ushtron edhe detyrën e Guvernatorit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka pyetur nëse ka një vendim për anulim të konkursit të parë.

“Ne vetëm e kemi shpallur konkursin në bazë të rekomandimeve nga ky komision. Nuk e kemi anuluar, vetëm e kemi shpallur. Ne kemi menduar që me rekomandimin e juaj është mbyllur” – ka thënë kryetari i bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

Më 7 prill 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kishte rekomanduar Kuvendit që konkursi i parë për zgjedhjen e guvernatorit të kthehej në pikën zero.

“Komisioni në bazë të nenit 110 të rregullores kërkon nga Kuvendi ta njoftojë BQK-në si propozues për mos përmbushje te kushteve sipas ligjit të këtij konkursi”- kishte thënë Armend Muja, kryetar i Komisionit.

Pika 4 e nenit 110 të rregullores së Kuvendit thotë se “në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mos përmbushjen e kushteve”.

Por, ky rekomandim i votuar në këtë komision nuk ka shkuar për votim në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, BQK kishte hapur konkursin e dytë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

KALLXO.com kishte dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës më 11 korrik, dy ditë para votimit për Guvernator të ri, në lidhje me rrjedhjen e procesit por që nuk kishte pranuar përgjigje.

Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli të zgjedhur nga komisioni vlerësues në konkursin e dytë kishin qenë dy nga katër kandidatët e përzgjedhur në konkursin e parë, për cilin deputetët kishin votuar se këta persona nuk kishin përmbushur kushtet ligjore sipas nenit 110 të rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, Kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja është duke ushtruar funksionin e Guvernatorit të BQK-së pas përfundimit të mandatit në këtë pozitë të Fehmi Mehmetit.

Bashkim Nurboja merr përkohësisht postin e Guvernatorit të BQK-së