Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Nuk u fut në listë të ngushtë për guvernator të BQK-së, flet guvernatori aktual Fehmi Mehmeti

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere sot është diskutuar për listën e ngushtë të kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ku i ftuar ishte komisioni vlerësues.

Bashkim Nurboja, pjesë e këtij komisioni, dhe kryetar i bordit të Bankës Qendror të Kosovës, tregoi se gjatë procesit të këtij konkursi kanë pasur dy kandidatë me pikë të njëjta, por kanë zgjedhur kandidaten grua për të futur në listën e ngushtë. Kandidati që nuk është futur në këtë listë është guvernatori aktual, Fehmi Mehmeti.

“Për kandidatin e pestë, ne kemi vlerësuar se nuk ka integritet për këtë pozitë dhe për këtë jemi bindur edhe në dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka keqraportu në prill të vitit të kaluar përmes një kumtesë për media dhe në raportim në komision të nesërmen”- tha Nurboja gjatë takimit të komisionit.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se një çështje e tillë është aktualizuar qëllimshëm nga Bashkim Nurboja. Ai tha se çështja në fjalë është diskutuar në prill, maj dhe qershor të vitit të kaluar por nga ajo periudhë e deri në kohën kur ai ka kandiduar për guvernator nuk është përmendur.

“Fillimisht në prillin e vitit të kaluar unë kam qenë në pushim mjekësor në atë periudhë kur është publikuar kumtesa nga zëvendësguvernatori, Sokol Havolli. Pas kthimit nga pushimi mjekësor unë kam kërkuar sqarime nga Havolli, i cili më ka bindur për kumtesën. Kjo çështje është diskutuar edhe në prill të viti të kaluar pastaj është diskutuar edhe në maj në bord të Bankës Qendrore dhe gjatë qershorit dhe është ndalur. Është pritur nëse unë po  aplikoj për guvernator, në momentin që unë kam aplikuar është aktualizuar kjo temë dhe kjo nuk flet fare për integritetit tim. Në momentin që unë aplikova për guvernator – e aktualizoi këtë temë. Kjo nuk qëndron fare”- tha ai për KALLXO.com.

Guvernatori Mehmeti tha se nëse ai nuk do i kishte plotësuar kushtet e konkursit, ai nuk do të duhej të intervistohej dhe të poentohej në këtë konkurs. Ai jep sqarime edhe për kumtesën e përmendur duke thënë se raporte të ndryshme ndërkombëtare kanë lavdëruar tregun e sigurimeve në Kosovë.

“Konstatimin që flasim për një treg të rregulluar e gjeni edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtari që i përmendin të arriturat në sektorin e sigurimeve, si atë të progresit, të Bankës Botërore, e shumë të tjera. Ai nuk e ka përmendur fare që nga qershori e tani po e aktualizon. Momentin që nuk i plotëson kushtet për intervistë ti nuk më fton, është neni që thotë që nëse nuk e plotëson kriterin për integritet ti nuk e fton në intervistë. Ata më kanë ftuar dhe më kanë vlerësuar. Kumtesa ka qenë në qershor të vitit të kaluar procesi për guvernator është zhvilluar në qershor e janar. Në momentin që ti e fton në intervistë ti do të thotë që i plotëson kriteret”- tha Mehmeti për KALLXO.com.

Gjatë diskutimeve në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, deputetët e opozitës kritikuan komisionin vlerësues dhe u vendos që raporti i tij të plotësohet dhe pastaj të diskutohet përsëri.

Lista e ngushtë për Guvernator të BQK-së, diskutime mes opozitës dhe komisionit vlerësues