Bashkim Nurboja merr përkohësisht postin e Guvernatorit të BQK-së

Kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja përkohësisht do të ushtroj funksionin e Guvernatorit të BQK-së pas përfundimit të mandatit në këtë pozitë të Fehmi Mehmetit.

Ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit të BQK-së do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernorit.

“Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

KALLXO.com kishte raportuar kur Bashkim Nurboja ishte zgjedhur anëtar i bordit të BQK-së.

Nurboja është ish-kandidat për kryetar të Pejës dhe më pas kandidat edhe për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes.

Nurboja ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në Qeverinë Kurti I, në periudhën prill-qershor të vitit 2020.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere “ka dështuar” të dërgoj me kohë listën me kandidatë për Guvernator të Bankës Qendrore.

Fillimisht lista e prezantuar në këtë komision nga komisioni vlerësues nga BQK nuk kishte qenë e plotë, sipas anëtarëve të Komisionit për Buxhet, ata kishin kërkuar informacione shtesë. As në mbledhjen e mbajtur dje, Komisioni nuk kishte arritur të miratoj listën.

Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu janë kandidatët në listën e ngushtë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

BQK kritikohet për mungesë të mbikëqyrjes së bankave 

Ish kandidati i LVV-së për deputet zgjedhet kryetar i Bordit të BQK-së