Komisioni për Buxhet i rekomandon Kuvendit që ta kthejë në pikën zero konkursin për guvernator të BQK-së
Komisioni për Buxhet Punë dhe Transfere me shumicë votash i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës, se konkursi për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nuk i ka përmbushur kushtet sipas ligjit, respektivisht nenet 38 dhe 40 të Ligjit të Bankës Qendrore dhe ai të kthehet në pikën zero.
“Komisioni në bazë të nenit 110 të rregullores kërkon nga Kuvendi ta njoftojë BQK-në si propozues për mos përmbushje te kushteve sipas ligjit të këtij konkursi. Neni 38 dhe neni 40 këto janë nenet respektive në ligjin e BQK-së që nuk janë plotësu”- tha Armend Muja, kryetar i Komisionit.
Debat i ashpër paraprakisht është zhvilluar në mes të anëtares, Duda Balje dhe disa deputetëve tjerë për shkak të rekomandimit për ripërsëritje të konkursit.
Balje ka kërkuar që ai të mos rekomandohet për mospërsëritje për shkak se kandidatët sipas saj janë “në rregull”.
“Cili prej kandidatëve nuk i plotëson kushtet?. Unë po du me ditë cili prej kandidatëve nuk i ka plotësu? Unë nuk e kuptoj cili nuk i plotëson. Unë sa kam lexu ne si komision nuk kemi të drejtë konkursin me e kthy prej zeros, këtë të drejtë e ka vetëm Kuvendi i Kosovës, ne mundemi me propozu për mospropozim në Kuvend. Në bazë të ligjit, e vetmja drejtë e jona është mosvotimi”- tha Balje.
Mirëpo pavarësisht diskutimeve, Balje votoi pro propozimit për rekomandimin për Kuvendin.
Ndërsa me një orë vonesë nisi zyrtarisht mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Fillimisht opozita vendosi të dalë nga mbledhja, pas rreth 20 minutave vonesë e më pas Komisionit priti deri sa u mblodhën deputetët e pozitës për të siguruar korumin.
Deputetja, Duda Balje është rikthyer në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere pas disa minutave që bashkë me pjesën tjetër të opozitës e kishe lëshuar mbledhjen e Komisionit për shkak të vonesave.
Balje tha se ajo nuk i beson më Bordit të BQK-së për zhvillimin e një konkursi tjetër për zgjedhje të guvernatorit.
“Na kemi një grua që është vlerësu më së shumti tek britanikët e është vlerësu më së paku tek ne. Unë nuk i besoj bordit që ta bëjë përzgjedhjen më”- u shpreh ajo.
Deputeti Eman Rrahmani tha se për të është vetëm një arsye që konkursi do të duhej të anulohej.
“E vetmja gjë që nuk ka shku në rregull është caktimi i numrit që sa kandidatë kanë me ardh në Kuvend. Sa t’duash lypi dokumentet e procesverbalet nuk ka arsye tjera. Për shkak që kanë eliminu njerëz në proces. E vetmja arsye është që na mundemi me kthy ketë konkurs është që e kanë caktu numrin masi e kanë bo vlerësimin. E jo me paragjyku që sa po i merr pikët kandidati. Kjo është cka e prish këtë proces. As integriteti e as asgjë. Procedurat të cilët janë diskriminuese na si deputetë nuk duhet me e kalu”- thënë Rrahmani.
Nga 29 marsi postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit mbikëqyrës. Kjo pasi procesi për zgjedhjen e Guvernatorit nuk ka përfunduar ende. Konkursi për këtë pozitë ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe ende lista e kandidatëve nuk është miratuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Për 5 muaj institucionet nuk arritën ta zgjedhin Guvernatorin e BQK-së