Ish-baza e KFOR-it në Prizren e gatshme për të pranuar deri në 800 persona nga Shqipëria

Parku Inovativ Trajnues në Prizren do të jetë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga katastrofa natyrore në Shqipëri.

Këtë vendim sot e ka marrë Qeveria e Kosovës së bashku me Ambasadën gjermane në Prishtinë, zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Komunën e Prizrenit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka shkruar në Facebook se menjëherë kanë nisur procedurat për përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim.

“Kemi nisur përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim, kujdes shëndetësor dhe ushqimor në Parkun Inovativ dhe Trajnues. Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi. Si Kryeministër në detyrë menjëherë kam vendosur komunikim me institucionet përgjegjëse shtetërore në Shqipëri për të koordinuar hapat e mëtejmë për zbatim të këtij aksioni”, ka shkruar Haradinaj.