IPK rekomandon suspendimin e tre policëve, suspendohen dy prej tyre

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të përfshirë në dy raste të ndryshme.

Në rastin e parë i cili ka ndodhur në Kllokot, dyshohet se dy zyrtarë policor nuk kishin përfshirë në deklaratën e viktimës, pjesën ku ai thotë se është kërcënuar nga një zyrtarë i lartë i Komunës së Kllokotit, gjatë raportimit të një rasti në Policinë e Kosovës.

IPK ka njoftuar se dy policët dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

“Një qytetar kishte raportuar në Linjën e Kaltër se këta dy zyrtarë policorë nuk kanë ndërmarrë veprimet hetimore ndaj të dyshuarve pas ankesës së tij (duke mos përfshirë  në deklaratën e tij kërcënimet që ai kishte pranuar nga një zyrtar i lartë i komunës së Kllokotit). Pas verifikimit të informacioneve të pranuara nga ankuesi, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar hetime me dyshimin se dy zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”- thuhet në njoftim.

Ndërsa në rastin tjetër në Fushë Kosovë, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në kanosje. Inspektorati Policor është duke vazhduar hetimet për këtë rast.

KALLXO.com ka raportuar sot se një polic, dyshohet se ka kanosur një bari në Fushë Kosovë.

Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes.

Arbër Beka nga Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për KALLXO.com se i është rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimi i zyrtarit policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes

Fushë Kosovë, polici dyshohet se kanosi bariun