Inspektorati Policor dhe prokuroria nisin trajtimin e rastit të gjuajtjes me armë nga policia në Suhodoll

Një person po dyshohet se goditi me veturë një zyrtar policor dhe veturën e policisë në orët e pasdites në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut. E për të zmbrapsur sulmin, zyrtarë policorë kanë shtënë edhe me armë zjarri zyrtare ndaj veturës së të dyshuarit. 

Në këtë ngjarje ka mbetur i lënduar një polic ndërsa nga gjuajtja me armë sipas sinformacioneve nuk ka asnjë person të lënduar. Me të pranuar informacionin për gjuajtjen me armë, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar trajtimin e rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK tha se tashmë kanë pranuar informacionet dhe do të verifikojnë të dhënat që kanë pranuar në lidhje me këtë rast dhe varësisht nga rezultatet do të ndërmerren edhe veprimet e mëtutjeshme në bazë të ligjit. 

Tutje për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë. 

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, tha në një bisedë për KALLXO.com se tashmë prokurori është udhëzuar që të shkojë edhe në vendin e ngjarjes pasi gjatë kohës sa kishte ndodhur rasti dhe ishte njoftuar, kishte qenë në një seancë për një rast tjetër. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Veton Elshani, për KALLXO.com konfirmoi se policët në kundërpërgjigje përdorën edhe armët ndërsa vetëm pak kilometra më larg ishte gjetur edhe vetura e të dyshuarit. 

I dyshuari ka lënë veturën dhe është larguar në këmbë.