Foto: KALLXO.com
Ajri i pashëndetshëm në Prishtinë, IKSHPK jep rekomandime
Cilësia e ajrit në Prishtinë është i pashëndetshëm, me indeks të ndotjes 163 AQI.
Më 7 janar, kjo shifër ka qenë 107.
Si rrjedhojë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë disa rekomandime për personat e ndjeshëm.
Ato përfshijnë që të përdoret më shumë transporti publik dhe ecja e më pak vetura, reduktimi i përdorimit të lëndëve të ngurta të djegies dhe gatimit në shtëpi, që të zvogëlohen emetimet.
Rekomandohet po ashtu reduktimi i daljeve në vendet me ajër të ndotur, në mëngjes dhe në mbrëmje, sidomos për personat që kanë sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore, fëmijët dhe shtatzënat.
“Të mos digjet vaj i përdorur, goma plastike, mbeturina, thëngjill, drunj të lagësht për ngrohje. Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave kur ndotja është e lartë” – thotë IKShPK.
Reduktimi i pirjes së duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdo të mos pihet në hapësira të mbyllura dhe përdorimi i maskave mbrojtëse apo mbulimi i hundës me shall për personat që duhet të dalin në aktivitetet e tyre – janë rekomandimet e tjera të Institutit.
Së fundmi, është rekomanduar që për sa është e mundur të bëhet izolimi termik i shtëpive në zonat urbane.