Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK). FOTO: Ministria e Shëndetësisë

Rriten rastet me kollë të mirë, IKShPK apelon për kujdes

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje për kujdes të shtuar prindërve pas regjistrimit të rasteve të reja me kollë të mirë.

Ky institut ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 14 raste të reja me “Perussis”, siç njihet ndryshe kolla e mirë, duke shënuar kështu një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake.

IKShPk njofton se kjo sëmundje shfaqet tek të gjitha moshat por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuarit, sipas IKShPK-së, janë fëmijët nën moshën 1- vjeçare.

Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar, ndërsa simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë.

“Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë” – njofton IKShPK.

Parandalimi më i mirë për këtë sëmundje sipas IKShPK është vaksinimi i foshnjave nga mosha 2 muajshe kur jepet doza e parë kundër Kollës së mirë.

“IKSHPK rithekson se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen me shumë kujdes Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar” – bënë thirrje Instituti.

Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria “Bordetella pertussis” që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.