Ilustrim

Mbi 5 mijë raste të regjistruara në javën e parë të janarit, IKSHPK: Qarkullimi i gripit e ka kaluar pragun epidemik

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se që nga tetori i vitit të kaluar e deri më 7 janar 2024 janë raportuar 38 mijë e 476 raste të sëmundjes së ngjashme me grip, 4 mijë e 807 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.

“Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja permanente e situatës epidemiologjike përmes hulumtimit aktiv dhe pasiv të institucioneve shëndetësore dhe në terren për Influenzën sezonale (ILI), për Infeksionet respiratore akute (ARI) dhe Infeksionin e rëndë respirator akut (SARI), IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik” – thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK bëri të ditur se vetëm gjatë javës së parë të janarit të vitit 2024 janë raportuar mbi 5 mijë raste të sëmundjes së ngjashme e grip.

Ndërsa sipas këtij instituti, intensiteti i infulencës sezonale (gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të janarit paraqet aktivitet të lartë të qarkullimit dhe e ka kaluar pragun epidemik.

Më shumë informata rreth situatës epidemiologjike lidhur me gripin sezonal dhe patogjenët e tjerë respioratorë, testimeve të kryera, rezultatave dhe masave praktike të rekomanduara nga IKSHPK për parandalimin e përhapjes së mëtejme dhe mbrojtjen e popullatës, mund t’i gjeni në informacionet e vendosura nëpër infografikat e publikuara në Facebook, që i gjeni më poshtë.