Ilustrim: Sulmet kibernetike - Foto: REL/Shutterstock

Simulimi kibernetik, disa zyrtarë publikë ‘bien në provimin’ e MPB-së

Disa zyrtarë publikë, punonjës në institucione të ndryshme publike të vendit, kanë besuar në një informacion të rremë të cilin, në formë testi, e ka shpërndarë Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Agjencinë e Shoqërisë së informacionit.

Testi kibernetik ishte bërë duke dërguar një njoftim tek rreth 7 mijë zyrtarë publikë përmes një e-maili jozyrtar. Përmbajtja, gjithashtu nuk ishte e vërtetë.

I gjithë ky ushtrim kibernetik u bë për të parë nivelin e vetëdijes tek zyrtarët publikë mbi sulmet kibernetike.

Ky aksion i marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme që i bëri disa prej zyrtarëve publikë të bien nga provimi, lidhje me kinse rimburësimin e mjeteve financiare për pagesat e energjisë elektrike.

“Simulimi i sulmit kibernetikë ndërlidhet më “llogaritjen” e vlerës së rimbursuar të mjeteve duke u bazuar në vendimin e ZRrE dhe linku i aplikacionit softuerik është dërguar nga një e-mail jo zyrtar por që është administruar dhe menaxhuar nga stafi i MPB-së” – thuhet në një përgjigje të MPB-së për KALLXO.com.

Sipas ministrisë, të gjithë zyrtarët publikë që i besuan informacioneve të rreme do të kenë njoftime për të qenë të kujdesshëm që mos t’u besojnë çdo informacioni që u dërgohet në adresat e tyre elektronike.

Gjithashtu, ministria do të organizoj edhe trajnime për vetëdijesimin e këtyre zyrtarëve publikë.

“Të gjithë zyrtarët të cilët kanë qenë viktimë e këtij ushtrimi kibernetikë do të njoftohen dhe do të udhëzohen që të jenë të kujdesshëm gjatë hapjes dhe leximit të e-mailave sepse mund të jenë viktima të sulmeve kibernetike të ngjashme. Njëkohësisht bazuar në rezultatet e pranuara, Ministria e Punëve të Brendshme do të organizoj trajnime vedijësuese për Higjienën kibernetike” – thuhet tutje në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Sipas ministrisë, kjo nuk është e hera e parë që zyrtarët publikë testohen për të parë vetëdijen e tyre rreth informacioneve online.

Ky test u krye ndërmjet datave 17.04.2024 deri më 19.04.2024 ndërsa, sipas njoftimit, të dhënat e gjeneruara nga ky hulumtim nuk do të përdorën dhe për këtë do të njoftohen edhe vetë zyrtarët.

“Përkundër që aplikacioni ka përmbajtur të dhëna që ndërlidhen më kredencialet e llogarisë zyrtare dhe llogarisë bankare të zyrtarëve, ato informacione nuk janë ruajtur dhe se kredencialet zyrtare dhe llogaritë bankare të të gjithë zyrtarëve janë të sigurta” – thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në fund të vitit 2023, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN Kosova ka publikuar hulumtimin “Vorbulla e rrenave” në të cilin është ardhur në përfundim se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit.

Me qëllim që të vlerësohet njohuria dhe aftësitë e zyrtarëve publikë rreth dezinformimit, BIRN ka zhvilluar një eksperiment social i cili përfshiu 50 pjesëmarrës nga profesione të ndryshme si mësues, mjekë, gjykatës dhe prokurorë. Gjatë eksperimentit, gazetarët e BIRN u prezantuan pjesëmarrësve artikuj të kompletuar me logo dhe dizajne të vërteta. Artikujt përmbanin informacione të pavërteta të cilat ishin lehtë të identifikueshme për profesionin respektiv të respodentëve dhe shumica e pjesëmarrësve i ranguan artikujt si të vërtetë dhe shprehën vullnetin për t’i shpërndarë, pa e verifikuar informacionin. Janë rreth 200 zyrtarë që punojnë në zyret e informimit publik në institucionet e Kosovës. Bazuar në fokus-grupet e bëra me përfaqësues të këtyre departamenteve, është arritur në përfundim se këtyre zyrtarëve u mungon njohuria adekuate në dezinformim, përfshirë edhe atë se si të identifikohet dhe si të adresohet dezinformata.