Hykmete Bajrami: Prej kujt po ikë Qeveria e 51%?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dështoi të bëjë pazar me shtëpitë botuese.

“Këtë vit MASHTI dështoi të bëjë pazar me shtëpitë botuese, të merret vesh dhe doli në konferencën katër ditë para fillimit të vitit të shkollor dhe ju tha prindërve meqenëse nuk po mund të përballojmë koston me paratë e ministrisë të furnizojmë me libra që po ua kalojmë mjetet juve e ju përballuni me këtë kosto”- deklaroi Bajrami.

Deputetja tha se sot qeveria e 51%-shit nuk është në Kuvend duke ju drejtuar qeveritarëve e deputetëve të shumicës me pyetjet se “Prej kujt po ikni, kujt po ja keni frikën?”.

“Sot qeveria e popullit, e shpresës, Qeveria e 51%-shit nuk është në Kuvend. Nuk është qeveria nuk është asnjë deputetet i mazhorancës. Nuk po e dimë prej kujt po ikni, kujt po ja keni frikën. Nëse e keni me të drejtë, atëherë pse sot nuk i kemi deputetët e mazhorancës nuk janë sot këtu që të përballen me kritikat tona”- tha Bajrami.

Më tej, ajo u shpreh se deri në fund të vitit shkollor, në çdo shkollë e klasë në Kosovë, do të ketë fëmijë që kanë me mbetur pa libra.

“Besoni ose jo, ky vit ka me u përmbyll dhe ne kemi me qenë dëshmitarë secili prej nesh, që ka me pasë në secilën klasë, në secilën shkollë të Kosovë, fëmijë që deri në fund të vitit shkollor nuk kanë me i pasë krejt librat. Sot ministrja del krekoset me numrin e aplikimeve dhe buxhetin që e ka nda. Deri në fund të vitit shkollor do të kemi fëmijë që kanë me mbet pa libra”, tha tutje deputetja e LDK-së”- theksoi ajo.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.

Grupi paralamentar i LVV-së ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media nga ora 13:00.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.