Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Hovenier largohet nga Kosova, Anu Prattipati e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është larguar nga Kosova, pasi pas tri vjetësh Hovenier ka përfunduar mandatin e tij në Kosovë.

Siç ka njoftuar Ambasada amerikane, deri në emërimin e ambasadorit të ri, Anu Prattipati do të marrë detyrën e të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën e SHBA-së, në Kosovë.

Sipas të dhënave në Departamentin e Shtetit, Anu Prattipati ka pozitën e zëvendës-shefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Para detyrës së saj në Kosovë, ajo ishte këshilltare politike dhe ekonomike në Ambasadën e SHBA-së, në Hagë.

Prattipati shërbeu si zëvendësdrejtoreshë në Zyrën e Bashkimit Europian dhe Çështjeve Rajonale në Departamentin e Shtetit, nga viti 2018 deri në vitin 2020, ku mbikëqyri çështjet që varionin nga tregtia, politika makroekonomike, sanksionet e energjia, shqetësimet dixhitale e të privatësisë, si dhe shkenca e teknologjia. Më parë, Prattipati ishte zëvendësdrejtoreshë e Zyrës në Tavolinën e Pakistanit nga 2016-2018 – duke mbikëqyrur çështjet politike dhe politiko-ushtarake. Ajo, gjithashtu, është dërguar në misionet e SHBA-së në Pakistan, Nigeri e Kinë.

Krahas këtyre detyrave jashtë shtetit, Prattipati ka shërbyer në Departamentin e Shtetit në Zyrën e Nënsekretarit për Çështjet Politike, në Qendrën Operative dhe në Byronë e Çështjeve Ekonomike dhe të Biznesit.

Prattipati u diplomua në Universitetin Georgetown, me një diplomë B.A. në Biznes Ndërkombëtar dhe mori një MBA në Biznes Ndërkombëtar e një M.A në Tregtinë Ndërkombëtare dhe Politikat e Investimeve nga Universiteti George Washington.

Ambasadori Hovenier ia dorëzoi letrat kredenciale presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, më 10.01.2022.

Gjatë gjithë karrierës së tij më shumë se 30 vjeçare dhe në funksione të ndryshme, ambasadori Hovenier ka përfaqësuar prioritetet dhe angazhimet strategjike të SHBA-së për Kosovën e Ballkanin Perëndimor. Në vitin 1999, ndërsa shërbente në misionin e SHBA-së në OSBE, ai ishte anëtar i delegacionit të SHBA-së në Procesin e Rambujesë.