Foto: REL/RFE

Hovenier: Do të ketë pasoja nëse Qeveria nuk merr parasysh këshillat tona për Rregulloren e BQK-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se do të ketë pasoja në cilësinë e partneritetit nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’i marrë parasysh ose dëgjojë këshillat e tyre lidhur me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Hovenier tha se janë të shqetësuar me mënyrën se si kjo Rregullore po zbatohet dhe do të zbatohet duke mos marrë parasysh siç duhet disa realitete.

“Këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral, në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb” – tha ai në emisionin “Click” në RTV21.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sonte deklaroi se Rregullorja e BQK-së e cila përcakton, ndër të tjera, se e vetmja valutë për kryerjen e pagesave në vend është euro, nuk atakon askënd.

Ai tha se e kuptojnë që mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë dhe është zotuar që gjatë këtij muaji, do të japin të gjitha informacionet dhe ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë i mundur.

Hovenier thotë se SHBA dhe QUINT kërkojnë shtyrjen e zbatimit të kësaj Rregulloreje, sepse besojnë që s’është bërë puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin e sukseshëm, pa ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara.

Puna që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ, përfshrë një fushatë efektive të informimit publik, sipas Hovenier nuk është bërë.

“Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera” – u shpreh ambasadori amerikan.

Hovenier tha më tej se mirëpresin përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin e procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit e gjëra të tilla.

“Siç e kuptoj unë, mënyra se si për një kohë të gjatë është bërë kjo gjë është se janë sjellë dinarë ose para të gatshme në vend dhe individi në fjalë ka shkuar në një lloj zyre postare, bankë apo diçka tjetër dhe i ka marrë mjetet. Këto rregullore të reja e pamundësojnë që kjo të ndodhë. Dhe nuk është punuar fare paraprakisht për të identifikuar mjetet alternative që të mundësohej vazhdimi i pagesës së përfitimeve sociale. Kjo është ajo që na shqetëson. Një pensionist, një nënë vetushqyese, dikush që është i pambrojtur, që llogarit në ato mjete. Dhe na habit fakti që paraprakisht nuk janë bërë përpjekje për të menduar mirë këtë dhe për të pasur strategji për të lehtësuar çështjen” – ka theksuar ambasadori.

“Shqetësimi tjetër yni ka të bëjë me çështjet praktike. Nuk është sekret që Serbia e mbështet sistemin shëndetësor dhe arsimor në Kosovë. Dhe në fakt, ne kemi punuar tepër shumë dhe besojmë fuqishëm se me kalimin e kohës ato sisteme duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, sipas ligjit të Kosovës. Por sigurisht, Serbia do të vazhdojë të ketë të drejtën të vazhdojë të financojë dhe t’i mbështesë ato… Pra, si do të funksionojë kjo sepse deri tani janë financuar nga Serbia? Pra, çka do të ndodhë me këto spitale dhe shkolla? Shqetësohemi se brenda një apo dy javëve mund të ndodhë që të mos ketë më para për të mbështetur operacionet e tyre. Dhe sërish, nuk besojmë se qeveria ka plane të përshtatshme momentalisht për ato fonde të nevojshme që ofrojnë shkollim për fëmijët, kopshtet, për ato fonde që iu sigurojnë të sëmurëve qasje te mjeku apo barnat” – shtoi ai duke marrë shembuj për shqetësimin e tyre.

Lidhur me çështjen e zbatimit të Rregullores, Hovenier bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë kanë “vizituar” guvernatorin e BQK-së.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje.

Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai.

Ismaili, ka shpjeguar Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.

Guvernatori tha se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

Ai tha se qytetarët serbë në Kosovë mund të pranojnë para në valutën euro nga Serbia në llogaritë e tyre bankare.

“Kjo Rregullore e ka rregullu ‘cash’-in dhe kush ka të drejtë të importojë. Rregullorja nuk e ndalon transferin e mjeteve. Nëse institucionet e Serbisë dëshirojnë me transferu mjete në Kosovë janë të lejuara në një llogari bankare pa kufizim. Çdo qytetar i Kosovës, duke përfshirë serbët, mundet me pranu para në euro nga Serbia dhe e gjithë bota. Ata kanë llogari bankare sepse pranojnë pensione dhe ndihma nga Kosova. Në të njëjtën llogari mund të marrin edhe ndihmat nga Serbia”- tha guvernatori i BQK-së.

Guvernatori shpjegoi se qytetarët mund të mbajnë ‘cash’ si kursime apo edhe për nevoja të tjera të tyre, por ato nuk mund të përdoren si mjet pagese.

Gjithashtu Ismaili tha se Rregullorja e re ka përcaktuar mënyrën e importit të parave në Kosovë.

Ky vendim për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”- thekson DASH.

Kurse KE thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera”- ka deklaruar zëdhënësi Eric Mamer.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

“Mbi 200 milionë euro (në dinarë serbë) kanë hyrë në Kosovë nga Serbia në vitin 2023” – ka thënë guvernatori Ismaili.