Ndalimi i dinarit, guvernatori i BQK-së tregon çfarë kërkuan SHBA dhe BE

Sipas Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paratë e gatshme, e cila hyri në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Ky vendim u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Lidhur me këtë çështje, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës u “vizitua” nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje. 

“Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai. 

Ismaili theksoi se ka pasur një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të Rregullores. 

“Ka pasur një kërkesë nga SHBA sa ka mundësi BQK me e shty zbatimin e Rregullores. Kemi thënë se do ta shqyrtojmë këtë. Për shkak të argmuenteve ligjore nëse BQK e kish shty i kish ra me provu me legalizu një diçka të paligjshme, me thënë le të hyjnë disa kamionë me para” – tha guvernatori.

Vendimi i BQK që në Kosovë valuta e vetme si mjet pagese të jetë euro ka nxitur reagimin e shteteve të QUINT-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi serbët lokalë në komunat me shumicë serbe në Kosovë kryejnë pagesa dhe paguhen me dinarë serbë.

Së fundmi, zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka kërkuar një periudhë të gjatë të tranzicionit pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se SHBA e kundërshton zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë euro.