Kurti për zbatimin e Rregullores së BQK-së: Ky tranzicion nuk duhet të keqinterpretohet si sulm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila përcakton, ndër të tjera, se e vetmja valutë për kryerjen e pagesave në vend është euro, nuk atakon dinarin serb.

Megjithatë, Kurti ka thënë se e kuptojnë që mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë dhe është zotuar që gjatë këtij muaji do të japin të gjitha informacionet dhe ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë i mundur.

Ndonëse Rregullorja ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, kreu i Qeverisë thotë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme.

“Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar” – ka shkruar Kurti në deklaratën e tij.

Këtë deklaratë ai e ka nisur duke thënë se mbështet plotësisht pavarësinë e BQK-së dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta.

“Në këtë cilësi, ndihem i obliguar që të mbroj profesionalizmin e trupave publike” – ka thënë ai.

Rregullorja e BQK-së, sipas Kurtit, me të drejtë ka kërkuar që transaksionet joformale që kryhen në dinarë të Serbisë të formalizohen, prandaj thotë se ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme.

Kurti thotë se mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë me pastrim parash, financim të terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme.

“Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm” – ka thënë më tej kryeministri.

Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për subvencionet e pensionet që qytetarët serbë marrin nga Kosova dhe Serbia.

“Meqenëse Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në llogaritë e tyre bankare në Euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare” – ka shkruar më tej Albin Kurti.

Lidhur me çështjen e zbatimit të Rregullores ka pasur reagime nga diplomatë të huaj dhe organizata ndërkombëtare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, ka përsëritur kërkesën e tij dhe të Qeverisë amerikane për shtyrjen e afatit të zbatimit të Rregullores së BQK-së.

Pas një takimi të zhvilluar dje me kryeministrin Kurti, ambasadori amerikan ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të marrë parasysh kërkesën e SHBA-së atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit SHBA-Kosovë.

“Unë mund të them që kërkesë e SHBA-së është që kjo të shtyhet. Ka shumë punë për t’u bërë deri në implementimin e saj. Qeveria ka folur për një periudhë transicioni dhe ne shpresojmë që ky transicion t’i marrë parasysh shqetësimet për këtë çështje. Ne besojmë që Qeveria do të pajtohet me neve në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe, atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”- ka paralajmëruar Jeff Hovenier.

Lidhur me çështjen e Rregullores, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës u “vizitua” nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje.

Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai.

Ismaili, ka shpjeguar Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.

Guvernatori tha se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

Ai tha se qytetarët serbë në Kosovë mund të pranojnë para në valutën euro nga Serbia në llogaritë e tyre bankare.

“Kjo Rregullore e ka rregullu ‘cash’-in dhe kush ka të drejtë të importojë. Rregullorja nuk e ndalon transferin e mjeteve. Nëse institucionet e Serbisë dëshirojnë me transferu mjete në Kosovë janë të lejuara në një llogari bankare pa kufizim. Çdo qytetar i Kosovës, duke përfshirë serbët, mundet me pranu para në euro nga Serbia dhe e gjithë bota. Ata kanë llogari bankare sepse pranojnë pensione dhe ndihma nga Kosova. Në të njëjtën llogari mund të marrin edhe ndihmat nga Serbia”- tha guvernatori i BQK-së.

Guvernatori shpjegoi se qytetarët mund të mbajnë ‘cash’ si kursime apo edhe për nevoja të tjera të tyre, por ato nuk mund të përdoren si mjet pagese.

Gjithashtu Ismaili tha se Rregullorja e re ka përcaktuar mënyrën e importit të parave në Kosovë.

Ky vendim për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”- thekson DASH.

Kurse KE thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera”- ka deklaruar zëdhënësi Eric Mamer.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Mbi 200 milionë euro (në dinarë serbë) kanë hyrë në Kosovë nga Serbia në vitin 2023, ka thënë guvernatori Ismaili.

Deklarata e plotë e Kryeministrit, Albin Kurti:

Unë e shkruaj këtë deklaratë duke theksuar se Zyra e Kryeministrit mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta. Në këtë cilësi, ndihem i obliguar që të mbroj profesionalizmin e trupave publike.

Në fund të vitit të kaluar, Banka Qendrore nxori rregulloren e saj mbi pagesat me paratë e gatshme. Rregullimi i mënyrës se si monedhat e huaja operojnë në një vend është, natyrisht, një kompetencë thelbësore e Bankës Qendrore.

Kjo rregullore nuk e targeton Dinarin e Serbisë. Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në Dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme. Monedha zyrtare e Kosovës është Euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas deklarimit tonë të pavarësisë.

Ky vendim është përgjegjësi themelore e Bankave Qendrore, duke synuar rregullimin e hyrjes së monedhave të huaja brenda territorit. Mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë në shpëlarjen e parasë, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme.

Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm.

Meqenëse Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në llogaritë e tyre bankare në Euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare.

Për më tepër, hapja dhe mirëmbajtja e llogarive të reja bankare në Euro do të jenë pa pagesë. Përpjekjet tona të vazhdueshme synojnë ta thjeshtësojnë këtë proces. Periudha e tranzicionit ka filluar tashmë dhe përpjekjet e përbashkëta do të sigurojnë shpejtësinë dhe lehtësinë e saj.

Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi.

Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë.

Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t’u realizuar. Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin, duhet të interpretohet për atë çka është. Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t’i duhen ca përshtatje.

Për palët e shumta që janë fuqishëm të investuara në prosperitetin e vendit tonë, të njëjtën e inkurajoj: përshtatjet le të ndodhin, që të arrijmë hapin tjetër, drejt të cilit të gjithë punojmë me zell.