Hoti numëron investimet që do t'i bëjë ShBA pas zhbllokimit të fondeve të MCC-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC.

Hoti ka shtuar se një shumë prej 150 deri në 200 milionë euro do të investohen nga muaji korrik i këtij vitit në përmirësim të kushteve të banimit në 3 mijë shtëpi, renovimin e objekteve banesore në 6 komuna të Kosovës.

“Të shpreh falënderimin për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të korporatave të sfidave të mijëvjeçarit, një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri në 200 milionë euro, tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projektet specifike, në dy shtylla të këtij programi. Shtylla e parë e këtij programi është marrëveshja e pragut në vlerë prej 49 milionë dollarë, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, brenda dy muajve, ku përfshihen investimi në 3 mijë shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes e energjisë, mandej renovimin e objekteve banesore të mëdha në 6 komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë këto ndërtesat e soliterave në Ulpianë, në Mitrovicë, në Gjakovë, në Lipjan, në Graçanicë edhe në Viti”, ka deklaruar Hoti.

Me tej, kryeministri Hoti ka thënë se një pjesë e fondeve të MCC-së do të shpenzohen gjithashtu si pensione, grante për gratë në sektorin e energjisë dhe biznese dhe po ashtu në sundimin e ligjit.

“Janë gjithashtu si pensione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e këtyre mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave”, ka thënë Hoti.

Sa i përket pjesës së dytë të këtij programi, që njihet si marrëveshja Kompakt, Hoti ka thënë se projekt kryesor do të jetë gaz-përçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit. Ndërsa për shumën e parave që do të ndahet për këtë, Hoti ka deklaruar se kjo do të vendoset gjatë kësaj vere nga Bordi i MCC-së.

“Ndërkaq pjesa e dytë e këtij programi është marrëveshja Kompakt që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo amerikane, do të ketë vlerë disa fish më të madhe se sa kjo pjesa e parë, besoj që shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së i cili udhëhiqet nga sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gaz-përçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës, të gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeo-strategjike e mbështetur nga pala amerikane. Më lejoni edhe një herë në emrin tuaj të falënderoj Qeverinë amerikane për këtë hap të shpejtë”, ka përfunduar Hoti.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në mars 2020, kishte pezulluar implementimin e disa projekteve të financuara nga ShBA-ja në Kosovë.

Kjo ishte bërë për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës në atë kohë që ta  largojë në mënyrë të menjëhershme tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Por Qeveria Kurti muaj më pas kishte hequr tarifën dhe kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Qeveria Hoti në mbledhjen që është mbajtur dje, ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke hequr pengesat e dialogut. Ne presim të njëjtën gjë nga pala serbe që t’i hiqen pengesat, e të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Këtë vendim e kanë përshëndetur ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 7 juin 2020