Haradinaj thotë se do të udhëtojë për në ShBA për ‘Lutjet e mëngjesit’

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marr pjesë në “Lutjet e mëngjesit”.

Haradinaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë, i tha kabinetit të tij se nëse ka nevojë do të mblidhen sërish javën tjetër.

“Javën tjetër udhëtoj pak në Amerikë në Lutjet e mëngjesit. Kur të kthehem mundemi me majtë mbledhje, nëse ka nevojë”, theksoi Haradinaj.

Ndërkaq, në konferencën që Haradinaj mbajti pas mbledhjes së Qeverisë, nga KALLXO.com u pyet për detajet e vizitës së tij në Amerikë, javën e ardhshme.

“Është mirë sa më shumë e më shpesh prej Kosovës me shku në Amerikë. Kësaj here shkoj edhe për Lutjet e mëngjesit, por ka një agjendë tjetër, do të jetë intensive me takime. Nëse ka nevojë e nxjerrim në publik. Ne shkojmë për ta forcu atë lidhje, atë miqësi me ShBA-në”, tha kryeministri në detyrë.

Ndërkaq, i pyetur nëse në Amerikë flitet ndryshe nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Shqipërisë, për ndryshimin e kufijve, Haradinaj tha se nuk është mirë që atje të shkohet me qëndrime të ndryshme.

“Nuk është mirë me shku me qëndrime të ndryshme. Amerika i di qëndrimet e mia. Unë po shkoj me i avancu ato qëndrime. Nëse ndodhë prape e njëjta, kur do të flitet për kufijë, unë do vazhdoj t’i mbroj ato, ngjashëm”, tha ai.

Në të kaluarën, Haradinajt i ishte pamundësuar shkuarja në ShBA për shkak se nuk i ishte dhënë viza nga autoritetet amerikane.