Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj pranon takimin me Kurtin: Për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë

Ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit, Albin Kurti për një takim.

Sot gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit të Kosovës konfirmoi se shefi i qeverisë ka ftuar për takim opozitën pas takimit të mbajtur në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj, përmes një njoftimi në Facebook, tha se për tema me rëndësi për vendin, nuk duhet të ketë dallime.

“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit” – tha Ramush Haradinaj të hënën.

“Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre” – deklaroi tutje kryetari i AAK-së.

Në fund, ai falënderoi përfaqësuesin e ShBA-së dhe të BE-së, për kontributin në dialogun Kosovë-Serbi.

“Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Aleancën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel. U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar,  ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel” – ka deklaruar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

Serbia, ditë më parë, u pajtua që të pranoj letërnjoftimet e Kosovës, për të gjithë qytetarët që kalojnë kufirin nga Kosova në Serbi.

Një gjë e tillë kishte munguar deri më tani. Sipas një marrëveshjeje të vitit 2011, Serbia dhe Kosova ishin marrë vesh që në vend të letërnjoftimeve të përdorën disa dokumente, ‘hyrje/dalje’. Të njëjtën marrëveshje e zbatonte Serbia por jo edhe Kosova.