Osmani në takim me zyrtaren e lartë amerikane: Çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë.
Sipas një komunikate për media, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, si dhe të arriturat e vazhdueshme të Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Osmani ka theksuar se Kosova ka kornizën ligjore më të avancuar në Europë, e cila buron nga Kushtetuta, teksa ka përmendur edhe rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Europës.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e multietnicitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Me këtë rast, ajo ka potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si garancë shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend”- thuhet në komunikatë.
Presidentja gjithashtu ka përsëritur se çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-ve dhe ka konfirmuar përkushtimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në këtë frymë.
Zv/ndihmës Sekretarja e Departamentit amerikan të Shtetit vizitë në Kosovë, takon Osmanin e Kurtin